LDK akuzon VV për “kapje” të Bordit të AKP-së

LDK akuzon VV për “kapje” të Bordit të AKP-së

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar sot Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet se po vazhdon me kapjen e institucioneve të pavarura, përfshirë edhe  Bordin e AKP-së, të njëjtit institucion që ia kishin paralajmëruar shuarjen.

Në një reagim për media, LDK thekson se në vend të shuarjes, Lëvizja Vetëvendosje vendosi në Bord të ri militantë partiakë.

“Së paku tre anëtarë të rinj të Bordit janë anëtarë partiak të Qeverisë së Vetëvendosjes; dy nga të cilët ish kandidatë për deputetë; të cilët kishin dështuar paraprakisht të zgjidhen. Ftojmë Kuvendin e Kosovës, të refuzojnë kapjen. Ftojmë organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe organizatat ndërkombëtare të ngrisin zërin kundër dukurive të tilla”, thekson LDK. 

Për më tepër, LDK kujton se logjika e politizimit të sferave të qeverisjes, nëpërmjet kapjes së hises me militantë partiak, përveç se është e paligjshme është edhe moralisht e gabuar dhe se një praktikë e tillë ndaj agjencive ligjërisht të pavarura është praktikë tashmë e zakonshme e Qeverisë populliste që kapjen dhe nepotizmin e ka shndërruar në kauzë. 


“Logjika e politizimit të të gjitha sferave të qeverisjes, nëpërmjet kapjes së hises me militantë partiak, përveç se është e paligjshme është edhe moralisht e gabuar. Një praktikë e tillë ndaj agjencive ligjërisht të pavarura është praktikë tashmë e zakonshme e Qeverisë populliste që kapjen dhe nepotizmin e ka shndërruar në kauzë”, përfundon reagimi. 

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për drejtorë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Kryeministri Kurti gjatë propozimit të këtij vendimi ka thënë se në Programin qeverisës është paraqitur edhe ndryshim rrënjësor i statusit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Në përputhje me përgjegjësitë tona kushtetuese e ligjore, po i propozojmë sot, Kuvendit të Republikës së Kosovës Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Presim që bordi i ri të marrë masat për të ndaluar proceset, që tashmë ne si Qeveri i kemi paraprirë, duke kërkuar ndaljen e tyre”, tha kryeministri Kurti.

Kandidatët për drejtorë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit janë: Nazmi Mikullovci, Syzana Dautaj-Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi – Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muçolli dhe Avni Ajdini.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: