LDK akuzon Arben Vitinë se i ka vjedhur programin për Prishtinën

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, ka akuzuar Arben Vitinë se ka vjedhur programin për kryeqytetin. Sipas tyre, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinë ka bërë plagjiat projekteve të kandidatit të tyre Përparim Ramës, në projektin e lidhjes së lagjeve me qendrën, parkingjet dhe ridefinimin e qendrës së qytetit.

Shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së në Prishtinë, Alban Zogaj, në një konferencë për media tha se do t’i marrin të gjitha masat ligjore për t’i dëshmuar pretendimet e tyre.

“Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të kopjimit që i është bërë projekteve të kandidatit tonë, Përparim Rama, nga ana e kundër kandidatit të tij nga Vetëvendosje, Arben Vitia, i cili u inkuadrua në garë ditë më parë, pa asnjë projekt, e pas një menaxhimi katastrofal të pandemisë. Kandidati ynë, Rama, ka kohë që ka shpalosur projektet e tij, të cilat do të kenë ndikim të jashtëzakonshëm në transformimin e Prishtinës, projekte të cilat i ka vizualizuar dhe i ka paraqitur para publikut përgjatë muajve të fundit. Ajo çka kemi parë mbrëmë në botimin e programit të Vitisë është plagjiat i projekteve të Përparim Ramës dhe vjedhje e të drejtës së autorit, dhe siç e dini, kjo është jo etike, por edhe e dënueshme”, tha ai.

Zogaj paraqiti edhe disa shembuj, ku sipas tij shihet qartazi kopjimi që Vitia i ka bërë programit të Ramës.


“Përparim Rama që një kohë të gjatë prezanton projektin që do të lidhin lagjet me qendrën e Prishtinës. Dje në projektin e Arben Vitsië janë të prezantuara me fjalë të njëjta platforma multifunksionale të cilat lidhin lagjet mes veti. Pra projektet unike që janë origjinale të Përparim Ramës prezantohen në programin e Arben Vitisë. Rasti i dytë është rasti i parkingjeve në Prishtinë, Rama ka muaj të tërë që prezanton projektet e tij për 6 parkingje kryesore në Prishtinë që janë të vendosura në pikat kyçe, njëra ndër to është projekti te rrethi i flamurit, te stacioni i autobusëve, një te Pallati i Rinisë, dhe një tjetër te Kodra e Trimave që është projekt origjinal i Ramës. Rasti i tretë eklatant është pjesa e  ridefinimit të qendrës”, tha Zogaj. 

Krahas kësaj, Zogaj tha se kandidati i LDK-së Përparim Rama i ka hyrë garës për ta transformuar Prishtinën dhe jo për t’u marrë me kundër kandidatë të tjerë.

“Ajo çka kemi thënë vazhdimisht, dhe është potencuar nga vetë Rama, është e saktë: arkitekti dhe urbanisti Rama i ka hyrë garës për Prishtinën për ta transformuar atë dhe për t’ia kthyer jetën qytetit dhe fshatrave në Komunën e Prishtinës. Deri më sot, nuk jemi marrë asnjëherë me kundër kandidatët e Përparim Ramës, sepse kemi besuar se qytetarët do ta vlerësojnë programin e qeverisjes dhe projektet konkrete te tij, por, sot, nuk mund të heshtim para një akti kaq të ulët, me të cilin synohet të mashtrohen qytetarët e Prishtinës. Ne e themi me kompetencë se asnjëri nga kundër kandidatët e Përparim Ramës as nuk ka aftësi, e as vizion për ta transformuar komunën tonë, kryeqytetin e Republikës, këtë e bën vetëm Përparim Rama”, tha Zogaj.

Zogaj ftoi qytetarët e Prishtinës që të bëjnë vetë vlerësimet dhe krahasimet e programeve qeverisëse, ku sipas tij, programi i tyre është shumë më i mirë se i të tjerëve.

Lexo edhe

Video

error: