Latifi pyetet për mungesën e anesteziologëve: Unë isha në Greqi javën e kaluar, e kanë të njëjtin problem

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka deklaruar se edhe në Greqi e shumë vende të tjera janë duke u përballur me largimin e punëtorëve shëndetësorë. Ai ka theksuar se janë duke u marrë me çështjen e largimit të anesteziologëve, por kjo vështirësi po ndodhë për shkak të keqplanifikimit në të kaluarën.

Kështu është përgjigjur në seancë plenare, ministri Rifat Latifi, i cili u pyet nga deputeti i LVV-së Fitim Uka. Ky i fundit pyeti se cilat janë masat që ka paraparë ministria për të parandaluar këtë situatë.

“Vetëm gjatë muajit shtator është raportuar për largimin e gjashtë anesteziologëve e në anën tjetër thuhet që në Kosovë aktualisht nuk ka anesteziologë të papunë. I nderuar ministër, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij profili specifik, a mund të na tregoni nëse ekziston rrezik për shërbimet publike në QKUK si pasojë e mungesës së anesteziologëve dhe cilat janë masat që keni paraparë të ndërmerrni ju si Ministri e Shëndetësisë për parandaluar një problem të tillë”, ka pyetur Uka.


Ndërkaq, ministri Latifi theksoi se janë duke u marrë me këtë çështje dhe se aktualisht janë 47 anesteziologë të angazhuar në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimin Intensiv.

“Unë isha në Greqi javën e kaluar, e kanë të njëjtin problem. Ka të njëjtin problem Austria, e ka të njëjtin problem Zvicra, e kanë të njëjtin problem shumica e këtyre vendeve me largimin e punëtorëve shëndetësorë. Nga 26 mijë mjekë në Greqi që punojnë në gjithë Athinën, vetëm dy mijë janë në sistemin publik. Edhe ne kemi të njëjtin problem. Edhe çështja e anesteziologëve është lënë pas dore për vite të tëra. Kjo vështirësi është shkaktuar se për vite me radhë prej vitit 2016, nuk është hapur asnjë konkurs për specializim nga anesteziologjia.  Po të ishte bërë kjo, tash do të ishin dy gjenerata të anesteziologëve dhe nuk do të kishim problemet që i kemi sot. Pasojat e keq planifikimit apo të mos planifikimit fare të resurseve të kësaj dege të rëndësishme të kaluarën, po i shohim dhe përjetojmë tash. Nga viti 2020 mungojnë 22 anesteziologë, 16 e kanë lëshuar punën, katër janë pensionuar dhe dy kanë ndërruar jetë”, ka deklaruar Latifi.

Ai ka shtuar se duhet të trajtohen me prioritet dhe të jenë kreativ në zgjidhjen e kësaj situate.

“Ne tash po hapim konkursin për 30 specializantë të anesteziologjisë në mënyrë që të ardhmen mos të kemi të njëjtin problem”, ka shtuar Latifi.

Lexo edhe

Video