Lansohet projekti për studimet gjurmuese, siguron të dhëna për lidhjen e studimeve me tregun e punës

Është lansuar sot projekti për studimet gjurmuese, përmes të cilit po synohet që të sigurohet një studim gjithëpërfshirës duke vlerësuar ndikimin e aftësimit profesional, ndërlidhjen e kurrikulave me tregun dhe statusin e punësimit të të diplomuarve.

Ky projekt që është mbështetur nga Bashkimi Evropian, LuxDev dhe do të implementohet nga Instituti EdGuard, ka në fokus mbledhjen e të dhënave nga ana e studentëve që diplomojnë në Qendrat për Aftësim Profesional, të dhëna të cilat do të përdoren për përmirësimin e kurrikulave të aftësimit profesional.

Në lansimin e këtij projekti, mori pjesë edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila ky projekt do ju ofron të dhëna të besueshme empirike që janë në shfrytëzim jo vetëm për politikat e nivelit qendror, por edhe për vet shkollën.

Ajo tha ndërlidhja e tregut të punës është jetik, por që u shpreh se arritja e këtij qëllimi vazhdon të mbetet sfidë.

“Akoma rrugëtimi i të rinjve drejt punësimit pas përfundimit të shkollimit mbetet një sfidë, ndonëse është i një rëndësie jashtëzakonisht të madhe. Kjo për të kuptuar se cila është përvoja e vërtetë e tregut karshi shkollimit, cilat janë kërkesat dhe nevojat e bizneseve, cili është përceptimi i të rinjve për cilësinë e studimeve, sa është i përshtatshëm profili i studimit me punën që studentët bëjnë, cilat janë profilet që ofrojnë më shumë mundësi punësimi për të rinjtë dhe shumë pyetje të tjera të cilat shpesh herë nuk kanë marrë një përgjigje e cila e mundëson nga njëra anë punësimin e të rinjve dhe nga ana tjetër plotësimin e kërkesave të tregut të punës. Të gjitha këto informata deri më tani kanë munguar shumë shpesh apo thënë më mirë kanë qenë të pjesshme e parciale dhe janë këto informata që do të na mundësonin që arsimin dhe aftësimin profesional i të rinjve të jetë në përputhje me kërkesat dhe nevojat e tregut të punës, duke mundësuar kështu edhe punësimin më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm”, tha Nagavci.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se ky projekt është një mjet efikas për të siguruar që të diplomuarit nga arsimi dhe aftësimi profesional po pajisen me shkathtësi të duhura dhe po drejtohen nga tregu i punës,


Ai u shpreh se investimi në të rinjtë dhe të rejat e vendit është i vetmi investim që garanton kthim.

“Studimet gjurmuese që po i lansojmë sot janë një mjet efikas për të siguruar që të diplomuarit nga AAP të pajisjen me shkathtësi të duhura dhe të drejtohen kah kërkesat e tregut të punës[…]Ky projekt është i rëndësisë jetike që po e pilotojmë në 15 shkolla, por qëllimi është që kjo të implementohet në të gjitha shkollat e Kosovës. Me të inkorporuar këtë sistem të gjurmimit ne do të fitojmë mundësinë që të kuptojmë shkallën e punësimit duke u bazuar në të dhëna të besueshëm, pra të kemi një matës…Investimi në të rinjtë dhe të rejat është i vetmi investim që garanton kthim dhe është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë që garanton mundësi të shumta në punësim dhe ngit cilësinë e arsimit dhe shkathtësitë”, u shpreh ai.

Përfaqësuesja e LuxDev, Gulten Aka, u shpreh se ky projekt synon të ndihmojë ndërlidhjen e arsimit me nevojat e tregut të punës.

“Ky projekt synon t’i mbështesë, të përmirësojë strukturën e arsimit në Kosovë dhe të ndihmojmë në zhvillimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe profesional në përputhje me nevojat e tregut të punës”, tha ajo.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, deklaroi se përmes këtij projekti do të ketë statistika dhe të dhëna për ndërlidhje më të mirë të shkollimit me tregun e punës.

“Ai diskutimi jonë i kamotshëm se kush është lidhja me tregun e punës dhe shkollimin do të marrë një përgjigje së shpejti. Neve do të kemi statistika dhe të dhëna, do të gjurmojmë të rinjtë tanë pas diplomimit, do ta kuptojmë se kush është rrugëtimi i tyre në karrierë pas diplomimit dhe kjo për të na shërbyer institucioneve tona për përditësim të programeve dhe për një lidhje shumë më të mirë të shkollimit me tregun e punës”, tha ai.

Gjatë implementimit të projektit do të ofrohen edhe trajnime për ngritjen e kapaciteteve të hisedarëve pjesëmarrës në studime gjurmuese.

Lexo edhe

Video

error: