Lansohet projekti “Law Data”, Konjufca: Do të rritet niveli i demokracisë dhe transparencës

Lansohet projekti “Law Data”, Konjufca: Do të rritet niveli i demokracisë dhe transparencës

Është prezantuar në Kuvendin e Kosovës projekti “Zhvillimi i Shërbimit Informativ Ligjor (Law Data)”, për të cilin kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se rritë nivelin e demokracisë dhe të transparencës.

Në një komunikatë për media të Kuvendit të Kosovës bëhet e ditur se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se projekti përputhet me rolin e Kuvendit, meqë Kuvendi ka një rol qendror në zhvillimet politike prej miratimit të ligjeve e deri te mbikëqyrja e Qeverisë.

“Pra ky projekt ka për qëllim transparencën, sepse qytetarët duhet të kenë qasje të drejtpërdrejtë dhe shumë të lehtë në legjislacion e përfshirje. Në Kuvendin e Kosovës, deri më tani, qytetarëve u jepej një dimension i kufizuar. Qytetarët duan të dinë formën përfundimtare të ligjeve, duan të dinë se cila është ajo formë që ua rregullon jetën atyre dhe çka ata mund të përfitojnë më shumë prej demokracisë dhe legjislacionit”, ka theksuar ai, thuhet në komunikatë.

Në këtë prezantim bëhet e ditur se ka marrë pjesë edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl, meqë Ministria e Jashtme e Norvegjisë është edhe financuese e projektit në fjalë.


Sipas komunikatës, ambasadori Grøndahl, ka thënë se ky projekt ka për qëllim që të rrisë transparencën e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm të Kuvendit, pasi që, siç tha ai, ky projekt do të përfshihet edhe në institucione të tjera të Republikës së Kosovës.

“Ky është një format i ri që u mundëson monitorimin e ligjeve të gjithë atyre që janë të interesuar, rëndësinë dhe rolin e tyre në jetën e qytetarëve”, tha Grøndahl.

Gjatë prezantimit, menaxheri i projektit Kare Vollan ka treguar se si do të funksionojë Shërbimi Informativ Ligjor. Ndërkohë që ka thënë se projekti do të realizohet edhe në Zyrën e Kryeministrit, në Ministrinë e Drejtësisë dhe institucione të tjera shtetërore.

Qëllimi i këtij projekti, financues i të cilit është Ministria e Jashtme e Norvegjisë, është fuqizimi dhe promovimi i transparencës dhe efikasitetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe institucioneve të tjera shtetërore të sundimit të ligjit në Kosovë.

Lexo edhe

Video

error: