Lansohet Kurrikula për programet e trajtimit të dhunës, konsiderohet moment historik

Sot, në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, u lansua Kurrikula për programet e trajtimit të dhunës.

Me këtë rast, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, u shpreh se ky moment është rëndësishëm, pasi për herë të parë në vendin tonë, siç tha ajo po lansohet një dokument i rëndësishëm.

Duke folur për dhunën, Haxhiu u shpreh se përgjigja ndaj rasteve të dhunës në familje kërkon qasje dhe bashkëveprim shumë-sektorial, përcjellur me një varg shërbimesh të reagimit të sigurisë.

“Për mua ky është një moment i rëndësishëm, duke pasë parasysh që për herë të parë Republika e Kosovës, për herë të parë po e lanson një dokument të rëndësishëm, pra siç e përmenda kurrikulën për trajnimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryesit e dhunës në familje në Republikën e Kosovës. Siç jemi të gjithë dëshmitarë, dhuna në familje është një fenomen alarmant dhe tejet i përhapur në shoqërinë tonë dhe kjo ndikuar nga normat patriarkale, ndarja e roleve gjinore dhe pabarazia, pothuajse në çdo sferë të shoqërisë tonë. Dhe, viktima të dhunës në familje, në shumicën dërmuese të rasteve, vajzat dhe gratë. Përveç grave, vuajnë edhe fëmijët, ata duke qenë edhe viktima të dhunës, por edhe dëshmitarë të dhunës në familje, duke përjetuar ngjarje traumatike, ndërsa gjasat janë shumë të mëdha që këta fëmijë të kopijojnë sjelljet abuzive dhe në të ardhmen e tyre të veprojnë njëjtë sikurse edhe prindërit e tyre. Pra, fatkeqësisht pasojat e dhunës në familje nuk janë vetëm të kësaj gjenerate aktuale, por është një cikël që përcillet edhe tek gjeneratat e së ardhmes. Dhe përgjigja ndaj rasteve të dhunës në familje kërkon qasje dhe bashkëveprim shumë-sektorial, përcjellur me një varg shërbimesh të reagimit të sigurisë, shërbimeve sociale që mundësojnë trajtimin e mirëfilltë të tyre. Këto shërbime duhet pasur gjithmonë në qendër sigurinë dhe mirëqenien e viktimës.”, tha ajo.

Ministrja deklaroi se rastet e dhunës në familje duhet të trajtohen me seriozitetin më të lartë nga institucionet e drejtësisë. Ajo tha se mosprezenca e përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë në organizimin e sotëm flet për ndërgjegjen e tyre.

“Kryerësit e këtij krimi duhet të ndiqen penalisht, të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre dhe të marrin dënime meritore. Dhe kur jemi këtu, ne shohim që për shkak mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë, vajzat dhe grate në Republikën e Kosovës po vriten. Edhe sa vajza dhe gra duhet vriten në mënyrë që të këndellet sistemi i drejtësisë. Edhe sa vajza dhe gra duhet të vriten në mënyrë që kriminelët mos të lëshohen në procedurë të rregullt. Edhe sa vajza dhe gra duhet të vriten në mënyrë që gjykatat mos të shqiptojnë dënimin nën minimumin që parasheh kodi penal i Republikës së Kosovës. Dhe fakti që as sot në këtë organizim të rëndësishëm nuk i kemi përfaqësuesit nga sistemi i drejtësisë, flet shumë për ndërgjegjën e tyre.”, u shpreh ajo, duke vlerësuar prezencën e policisë, sepse siç tha, në secilin aktivitet të 16 ditëve të aktvizimit, ata kanë qenë të pranishëm.

Haxhiu deklaroi se përmes Kurrikulës së lansuar, po përmbushin njërën nga aktivitetet e parapara që dalin nga objektiva e strategjisë kombëtare, që lidhet me zhvillimin e pakos së moduleve për programet e trajtimit psiko-social për kryerësit e dhunës në familje.

“Përgjatë vuajtjes së dënimeve të tyre, pra po flas për ata, të cilët shpallen fajtorë për këto vepra penale, dhunuesit duhet të kenë trajtim psiko-social përmes ofrimit të programeve adekuate, ku edukohen dhe ndryshohen në të mirë sjelljet e tyre të papërgjegjshme, të dënueshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojmë me të drejtë në përmirësimin e sjelljeve së atyre individëve, të cilët janë mbajtur në qendrat korrektuese gjatë vuajtjes së dënimit. Strategjia kombëtare për parandalimin dhe mbrojtje ndaj dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave 2022-2026, i miratuar në janar të këtij viti përcakton objektivin strategjik, pra krijimi dhe zbatimi i programeve për trajtimin psiko-social, të kryersve të veprave penale të dhunës, kështu duke qenë në përputhshmëri me Konventën e Stambollit, e cila përcakton se palët duhet të ndërmarrin masat e nevojshme legjislative ose masat e tjera për të krijuar ose mbështetur programe që synojnë edukimin e kryersve të dhunës në familje. Me anë të zhvillimit të kurrikulës për trajnimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje në Republikën e Kosovës, të cilën po e lansojmë sot, ne po përmbushim njërën nga aktivitetet e parapara që dalin nga objektiva e cekur më parë e Strategjisë Kombëtare, më saktësisht dhe respektivisht, ajo që lidhet me zhvillimin e pakos së moduleve për programet e trajtimit psiko-social për kryerësit e dhunë në familje. Dhe unë jam shumë e lumtur domethënë që brenda vitit të miratimit të Strategjisë Kombëtare kemi arritur që të bëjmë një hap të madh për krijimin e këtyre programeve tejet të rëndësishme.”, tha Haxhiu.


Ajo potencoi se kurrikula ka për qëllim që të vendosë bazën për themelimin dhe ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në Kosovë, në linjë me Konventën e Stambollit. Sipas Haxhiut, me miratimin e kësaj kurrikule, Ministria e Drejtësisë do të vendosë korniza të zhvillimit të implementimit dhe ofrimit të programeve për kryesit e dhunës në familje në Kosovë.

Ministrja tregoi se në këtë muaj do të fillojnë menjëherë me trajnimin e trajnerëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje bazuar në kurrikulë. Haxhiu u zotua që si ministre e Drejtësisë, secili veprim që bie brenda mandatit të saj si ministre, do të përfundohet në përputhje me përgjegjësitë që ajo ka.

Ndërsa, shefi i zyrës së Këshillit Evropian në Prishtinë, Frank Power falënderoi Ministrinë e Drejtësisë për zhvillimin e Kurrikulës për programet e trajtimit të dhunës, që ndikon në përmirësimin e sistemit në vend për parandalimin e dhunës.

Miratimin e Kurrikulës për programet e dhunuesve Power e quajti moment historik.

“Së pari, nëse mundem, dëshiroj të përgëzoj Ministrinë e Drejtësisë për udhëheqjen e një procesi të rëndësishëm të zhvillimit të kësaj kurrikule, duke përmirësuar kështu sistemin në Kosovë për parandalimin e dhunës dhe ndërtimin e qasjes analiste në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Më gjerësisht, do të doja gjithashtu të përgëzoja ministrinë dhe qeverinë për angazhimin që ka treguar vazhdimisht për të trajtuar fenomenin e dhunës ndaj grave, dhe dhunën në familje, një nga shkeljet më të rënda dhe më agresive të të drejtave të njeriut jo vetëm në Kosovë por në mbarë Evropën dhe në mbarë botën. Dhe nuk kam nevojë të ndalem në këtë pikë, mendoj se të gjithë këtu e dinë mirë se sa serioze është sfida. Në më pak se një javë në fushatën vjetore 16 ditë të aktivizimit, ne kemi parë tashmë dy shembuj të tmerrshëm të asaj që po përpiqemi të trajtojmë, aty ku këto raste mund të jenë në skajin ekstrem të spektrit, ato përfaqësojnë gjithashtu vetëm majën e ajsbergut se sa e përhapur është dhuna në familje në të gjitha shoqëritë tona. Roli kryesor i luajtur nga ministria dhe pronësia e qartë e shfaqur nga ministria në qasjen e saj është për t’u lavdëruar, fakti që këtë vit koordinimi i 16 ditëve të aktivizmit udhëhiqet për herë të parë nga qeveria është dëshmi e kësaj. Miratimi i një kurrikule për programet e dhunuesve është një moment historik i madh dhe Kosova po ecën një hap përpara drejt harmonizimit me konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, të njohura si Konventa e Stambollit. Konventa e Stambollit, e cila ka efekt të drejtpërdrejtë në Kosovë, duke pasur parasysh përfshirjen e saj në Kushtetutë, vendosi detyrime specifike për shtetet në lidhje me ngritjen e programeve parandaluese dhe të trajtimit të autorëve të dhunës në familje.”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ekspertja dhe konsullentja e Këshillit të Evropës, Adelina Toplica- Badivuku, gjatë fjalimit të saj, u ndal te 10 modelet e kurrikulës.

“E tanë modula, ose e tanë kurrikula është e bazume në modeline fuqisë dhe kontrollës dhe secili nga sesionet e intervenimit 6 mujor, pa marrë parasysh se kur do të mbahet në hapësirë të mbajtjes, në burg ose në komunitet, do ta ketë si bazament identifikimin e sjelljeve dhe strategjive që një burrë abuzues i përdor ndër secilën nga këto kategori.”, tha ndër të tjera ajo.

Në fund të organizimit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nënshkroi vendimin për miratimin e kurrikulës, dokument ky, që do të vendosë kornizat e zhvillimit, implementimit  dhe ofrimit të programeve për kryerësit e dhunës në familje.

Lexo edhe

Video