Lajçak thotë se e ka marrë konfirmimin që Kosova do t’i përmbushë zotimet, përfshirë Asociacionin

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi pa Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Në përfundimin e vizitës së tij në Kosovë , diplomati sllovak ka theksuar se Kosova në vitin 2013 e ka marrë përsipër çështjen e Asociacionit dhe duhet ta implementojë marrëveshjen e nënshkruar. Pas takimeve që ka zhvilluar me politikanët kosovarë, Lajçak ka thënë se ka marrë konfirmimin se Kosova do t’u përmbahet zotimeve që ka bërë, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit.

Para gazetarëve, Lajçak ka thënë se Kosova duhet të implemenotojë marrëveshjet e nënshkruara.

“Nëse nuk ka vullnet për marrëveshje, nuk do të ketë marrëveshje. Nëse nuk ka marrëveshje, nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacion. Kosova e ka marrë përsipër zotimin, e ka nënshkruar marrëveshjen, Kuvendi e ka ratifikuar, andaj Kosova duhet ta implementojë marrëveshjen dhe është pjesë procesit, është pjesë e negociatave, është pjesë e dialogut. Kur disa politikanë thonë se tema është mbyllur ata nuk duan ta rihapin tekstin, dhe ne nuk kërkojmë ta rihapim tekstin, vetëm kërkojmë të implementojnë atë çka është nënshkruar. Kjo është shumë me rëndësi, gjithçka çka është dakorduar duhet të implementohet. Nuk e kam takuar asnjë partnerë gjatë këtyre tre ditëve që ka ndonjë problem me këtë çështje, implementimi do të vijë me marrëveshjen. Kompromisi është parim mirë i njohur në çdo negocim. Nëse dua të marrë diçka duhet të jem i gatshëm edhe të japë diçka”, deklaroi ai.

Sipas tij, të dy palët duhet të jenë të gatshëm të japin në mënyrë që të marrin atë çka duan.

Lajçak ka shtuar se marrëveshja për Asociacionin është arritur në vitin 2013 ndërsa tani duhet të diskutohet statuti i tij.

“Hapi i radhës duhet të jetë diskutimi i statutit dhe kjo është çka presim. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe marrëveshja fillon të implementohet pas nënshkrimit. Implementimi i marrëveshjes për Asociacionin do të jetë pas nënshkrimit të marrëveshjes, po detaje për Asociacionin duhet dakorduar si pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes”, ka thënë ai.


Ai ka thënë se ka pranuar konfirmimin se Kosova do t’u përmbahet zotimeve që ka bërë, përfshirë këtu edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“E kemi vitin 2013 dhe 2015 dhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese, u bëj thirrje partnerëve që në bazë të këtyre tre dokumenteve që t’i përgatisin pozicionet e tyre dhe të jenë të gatshëm të diskutojnë dhe kjo do të ndodhë si pjesë e negociatave për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Dhe kur takova Listën Serbe, ata nuk kanë nevojë të lënë institucionet sepse të gjithë partnerët e konfirmuan se kjo është dakorduar dhe do të diskutohet”, ka shtuar ai.

Ndërsa rreth deklaratave të tij që asnjëherë nuk përmendet si epilog i procesit njohja reciproke, Lajçak ka thënë se nuk i takon atij të përkufizojë se çka nënkupton normalizimi.

“Ne po negociojmë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Mandati im thotë normalizim, për mua nuk i bie ta përkufizojë çfarë i bie normalizimi. Kosova e ka bërë të qartë se si është normalizimi edhe Beogradi e ka bërë të qartë se çka nënkuptojnë me normalizim. Do të mundohem të gjejmë një normalizim. Jam këtu vetëm të lehtësojë procesin, nuk më bie të them çfarë është ajo. Nuk jam në pozitë të dua marrëveshje më shumë se Kosova dhe Serbia”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, Lajçak ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka interes në destabilizimin e Kosovës se dhe Kosova ka bërë zotim me marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015 andaj sipas tij duhet të tregojë konsistencë në përmbushjen e zotimeve.

Pas takimeve me spektrin politik në Kosovë, Miroslav Lajçak udhëton sot për në Beograd ku do të takojë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Lexo edhe

Video