Lajçak takohet me Kurtin dhe Vuçiqin

Lajçak takohet me Kurtin dhe Vuçiqin

I dërguari i posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak takoi paraditen e sotme kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq para takimit të nivelit të lartë mes dy vendeve pasditen e sotme.

“Këtë mëngjes, unë zhvillova takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq për t’u përgatitur për takimin e nivelit të lartë të dialogut këtë pasdite.”, shkroi Lajçak në Twitter.

Ndryshe, ky do të jetë takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel. Pritjet për zhvillime konkrete edhe nga ky takim janë minimale nga njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.


Sipas tyre, të paktën nga ky takim duhet ketë një pajtim për temat dhe agjendën që duhet negociuar në muajt në vijim.

Në takimin e parë të nivelit të lartë në kuadër të rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti paraqiti katër propozime: Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Pas njohjes së ndërsjellët midis Kosovës dhe Serbisë, në të dy vendet të ketë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave, që serbët në Kosovë të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. Ndërsa si propozim i fundit, Kurti kërkoi dorëheqjen e Veljko Odaloviqin nga delegacioni serb për të pagjeturit.

Përveç këtij takimi të nivelit të lartë, javën e kaluar është mbajtur edhe takimi i dy delegacioneve të nivelit të ekspertëve.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.