I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pritet që nesër (6 shkurt) të vizitojë Kosovën, derisa, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, ai mund të vazhdojë vizitën në Serbi.
As kësaj herë nuk janë bërë të ditura hollësitë e vizitës, vetëm se ai do të diskutojë me bashkëbiseduesit për hapat e ardhshëm të dialogut, sidomos për avancimin rreth propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, por edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
Ndryshe, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e ka vizituar Kosovën 10 ditë më parë, kur ka zhvilluar një darkë pune me kryeministrin Albin Kurti dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimin.