Lajçak: Marrëdhëniet Kosovë-Serbi ndikojnë edhe në rajon

Lajçak: Marrëdhëniet Kosovë-Serbi ndikojnë edhe në rajon

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera në Ballkan, Miroslav Lajçak përsëriti se nuk sheh alternativë më të mirë për Ballkanin Perëndimor sesa anëtarësimi në Bashkimin Evropian, duke treguar katër sfidat kryesore të rajonit.

Lajçak ka pohuar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë kanë ndikim edhe në bashkëpunimin rajonal.

“Më imediate është që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Problemi më serioz është kriza në BiH. Sfida e rëndësisë më të madhe strategjike është normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse nuk ka të bëjë vetëm me këto dy shtete, por serbët dhe shqiptarët jetojnë në çdo vend të Ballkanit, dhe marrëdhënia ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ndikon në bashkëpunimin rajonal, ndaj zgjidhja e kësaj çështje është e një rëndësie strategjike”, ka thënë ai, raportojnë mediat serbe.


Ai deklaroi se sfidë themelore është drejtimi që po merr gadishulli ballkanik.

“Sfida që mendoj se është më themelore është pyetja se si do të jetë Ballkani. A do të jetë një Ballkan që ndan vlerat evropiane, që promovon demokracinë dhe sundimin e ligjit, që lufton korrupsionin dhe që ka media të pavarura dhe shoqëri civile? Ose do të kemi shoqëri në të cilat nuk ka asgjë të tillë duke pasur një lloj qeverie autoritative pa respekt për vlerat evropiane. Ajo ndeshje po ndodh pikërisht në kohën kur ne po flasim dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që si BE-ja, ashtu edhe vendet e rajonit të bashkohen jo vetëm administrativisht, por mbi të gjitha sipas një sistemi të përbashkët vlerash”, përfundoi Lajçak.

Ai foli edhe për Malin e Zi, duke thënë se gjatë vitit të fundit nuk ka pasur pothuajse asnjë përparim.

“Mali i Zi është më i avancuari nga të gjitha vendet e rajonit në rrugën e tij drejt BE-së dhe i ka hapur të gjithë kapitujt, por fakti është se në vitin e fundit nuk ka pasur pothuajse asnjë përparim. Tema evropiane nuk ekzistonte në atë periudhë. Përkundrazi, më së shumti u dëgjuan tema lidhur me etninë, fenë, kombësinë. Këto janë tema të viteve 1990”, deklaroi ai.

Lexo edhe

Video