Lajçak dhe këshilltarët e rinj nga Gjermania e Franca vizitojnë Kosovën dhe Serbinë

Lajçak dhe këshilltarët e rinj nga Gjermania e Franca vizitojnë Kosovën dhe Serbinë

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga dy këshilltarë të sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun, do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin më 9 shtator.

Qëllim i vizitës është “të eksplorohen opsionet për përparimin në dialog”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Gjatë vizitës janë të planifikuara takime të ndara me kryeministrin (e Kosovës, Albin) Kurti dhe presidentin (e Serbisë, Aleksandar) Vuçiq”, konfirmoi Stano.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftuan të shtunën se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, dy udhëheqësit kryesorë të BE-së u bënë thirrje atyre që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog.


“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhej, mes tjerash, në letër.

Stano tha se BE “dëshiron të bëjë sa më shumë që mundet për t’i ndihmuar të dyja palët që t’i gjejnë kompromiset e nevojshme” dhe që “të çojnë dialogun drejt fundit”.

I pyetur për planifikimin e ndonjë rundi të mundshëm të bisedimeve midis bartësve kryesorë të dialogut, Kurti dhe Vuçiq, Stano tha:

“Për këtë, ne gjithmonë duhet të kemi një marrëveshje nga të dyja palët. Kjo do të thotë se ato duhet të bien dakord për kohën dhe agjendën e atij takimi”.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 18 gusht, pas tensioneve në veri, por takimi përfundoi pa asnjë marrëveshje./Rel

Lexo edhe

Video