La armët dhe kapi lapsin, Shkupi flet si skenarist: Pres mbështetje për filmin e UÇK-së

Edhe në kohën kur po propagandohej se UÇK është në zhbërje e sipër, ata u rreshtuan për një, duke motivuar të gjithë popullin. Në kohën kur po luftohej për liri “Tigrat e Zi”, shfaqen me një video, e cila do të mbetej më pas në histori. Pas më shumë se dy dekadave, ish-pjesëtari i këtij njësiti Ferid Berisha, i njohur gjerësisht si Komandant Shkupi, po synon ta shfaq atë në një film të tërë me vuajtjet, dëbimet dhe luftën çlirimtare të Kosovës. Ai në intervistën për KosovaPress kërkon ndihmën e gjithë popullit shqiptar, me qëllim që të kuptojë e gjithë bota se çfarë ndodhi vite më parë.

Mjafton pyetja e një vajze, e cila po jeton me mallin e babës së saj të vrarë, për t’u rrëfyer më tej e gjithë historia e Kosovës.

“Filmi fillon në ditën e tanishme ku një vajzë e një dëshmori, po flasim për një njeri që ekziston, takohet me mua në aeroport dhe bashkë shkojmë te varrezat e dëshmorëve, vizitojmë varrin e babait të saj. Ajo më pyet thotë ‘A ka mundësi të më tregoni se pse unë nuk e kam babin’. Dhe unë aty filloj t’i tregoj edhe arsyen dhe i them se me gjithë dëshirë do të tregoj pse ka jetuar dhe luftuar. Dhe këtu fillon shpjegimi i viteve ‘90-ta, ‘80-ta, ‘70-ta, po ashtu me pamje të shkurtra në ekran për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur në atë kohë dhe vjen deri te mobilizimi i luftës. Aty fillon komplet përmes asaj pyetje shpjegohet lufta e Kosovës”, tregon komandant Shkupi për skenarin e filmit të luftës së UÇK-së, që i mori kohë pesë vjet ta shkruante.

Në ditën më të rëndësishme për popullin shqiptar, ish-pjesëtari i njësitit “Tigrat e Zi”, kërkon nga bashkëkombësit e tij, ndihmën për të realizuar filmin e parë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Qëllimi pse sot po e bëj publike është se mendoj se është data e qëlluar për ta dhënë si lajm. Po, unë e kam shkruar skenarin komplet të një filmi për luftën e UÇK-së, të cilën përmes syrit tim dhe përjetimeve të mija dhe njësisë dhe rajonit dhe shumicës së UÇK-së do ta pasqyroj se pse ka filluar lufta, si është zhvilluar dhe si ka përfunduar. Ky është qëllimi kryesor. Dhe unë mendoj se më mirë se njerëzit që kanë qenë në luftë nuk do të kishte mundur askush tjetër. E kam marrë këtë vendim, sepse mendoj se arsyeja pse jetojmë është të tregojmë se çfarë ka ndodhur”, shprehet ai.

Ferid Berisha thotë se lufta në Kosovë do të pasqyrohet për më shumë se dy orë nga aktorë shqiptarë, serbë, kroatë, e amerikanë. Filmi për luftën e UÇK-së, synon përmasat hollivudiane dhe kjo kërkon investim. Pavarësisht vështirësive, ai shpreson shumë se një gjë e tillë do të arrihet.

“Kompaninë të cilën e kemi formuar dëshirojmë të fillojmë të kërkojmë ndihmë, kryesisht prej njerëzve në përgjithësi, shqiptarëve. Por edhe Ligji i Sponsorizimit që është bërë që dy vjet, e kemi hulumtuar dhe kemi konstatuar që është në favor dhe shumë i mirë për financimin e projekteve filmike. Ne kemi filluar bisedat me disa kompani, ne mendojmë se shtytjen më të madhe do ta kemi prej popullatës dhe Ligjit për Sponsorizim. Nëse më vonë kemi nevojë për mbështetje më të madhe do të kërkojmë ndihmë edhe prej shtetit”, shprehet tutje ai.

Vullneti që ka për të realizuar këtë film, e shtyn edhe të besojë që do të arrijë të finalizohet për dy vitet e ardhshme. Këmbëngulës është që historia të tregohet në shqip, ashtu siç është i shkruar edhe skenari.

“Së paku një masakër ku ka qenë prezente më vonë njësia ime, ato do ta paraqes jo me qëllim të dokumentimit sepse ne e dimë çfarë ka ndodhur, ndërkombëtaret e dinë, për hir të realitetit që ka ndodhur. Disa fronte paraqiten, rrugëtimi në kufi se si kanë udhëtuar njerëzit, dyndja e popullatës, janë skena që do t’i paraqesim ne në film. Dhe deri te çlirimi ku reagon NATO. Janë pjesë të skenarit edhe dy raste NATO ka të bëjë me njësinë tonë. Kështu që këto janë ngjarje dhe pasqyrime mes të cilës unë dëshiroj të tregoj një realitet jo por popullin shqiptar por edhe për ndërkombëtarë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në Kosovë”, shton ai.


Për pesë vjet, Komandant Shkupi shkroi atë që mbante mend dhe atë që përjetoi gjatë viteve ’98 e ’99, por shumë prej ngjarjeve pati vështirësi t’i kujtonte tërësisht vet.

“Kam filluar të shkruaj atë që kam mbajtur mend, komplet një herë skenat. Dhe gjatë shkrimeve kam pasur plot skena që nuk mu kanë kujtuar, por vetëm e kam shkruar titullin. Më vonë, i kam thirr ushtarët edhe jam ulur kemi biseduar dhe ju kam thënë se si ka qenë edhe një herë kjo skenë, sepse kam dashur të dal origjinale dhe ushtarët m’i kanë kujtuar shumë gjëra”, kështu rrëfen Berisha, ndërkohë që shton se kohë pas kohe është dashur të hulumtojë edhe për datat se kur kanë ndodhur shumë ngjarje.

Skenari i gjithë filmit ka përfunduar, por do ta rishikojnë edhe ekspertët e huaj.

Tashmë është krijuar edhe kompania “Black Tiger”, e cila do të merret me menaxhimin e këtij filmi në bashkëpunim me Roland Bartezko, i cili ka qenë i njohur me nofkën “Gjermani”.

Ferid Berisha tregon se kanë filluar kontaktet në Gjermani, Amerikë e shumë vende të tjera për të ndihmuar në financimin e këtij filmi.

“Filmi në bazë të skenarit dhe përjetimeve të mia, do të xhirohet në Kosovë kryesisht. Një pjesë në Shqipëri, sepse është pjesë e skenarit ku kam qenë edhe unë. Një pjesë në Gjermani, në Holandë, një pjesë në Kroaci. Këto janë për momentin vendet e caktuara, ndoshta e kam në skenar dhe nëse arrijmë marrëveshje edhe një pjesë të vogël në Amerikë do të xhirohet”, tregon Berisha për KosovaPress.

Komandant Shkupi thotë se ky film është i kombit shqiptar dhe bëhet për të gjitha viktimat, të drejtën e Kosovës dhe UÇK-në.

“Askush nuk e ka bërë një film për UÇK-në dhe unë synoj që të jetë filmi i parë si nxitës që të krijohen filma të tjerë, të cilët ne kemi histori marramendëse për të bërë filma shumë. Për shumë heronj, për shumë personalitete të mëdha. Shpresoj që të jem ajo pika e parë nxitëse që të krijohen filma”, përfundon Berisha.

Komandant Ferid Berisha, i cili ishte pjesëtar i njësisë 111 “Adem Jashari”, u bën thirrje të gjithë bashkëluftëtarëve që të shkruajnë dhe të faktojnë ato që përjetuan më shumë se dy dekada më parë.

Për lirinë e Kosovës, kanë luftuar edhe njerëz që nuk ishin nga këtu. Ferid Berisha nga Shkupi me shumë shokë të tij erdhën nga Holanda në prill të vitit 1998, që të japin kontribut në çlirimin e Kosovës. /Sh.Pajaziti/

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.