Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratën e "Kuvendit gjithëserb" në të cilën Kosova trajtohet si pjesë pandarë e Serbisë.
Hovenier theksoi se ky nuk është qëndrim i SHBA-së apo partnerëve të tjerë, duke shtuar se Kosovën e kanë njohur si vend të pavarur dhe se nuk do të duhej të rinegociohet.
Të njëjtin qëndrim Hovenier e dha edhe një ditë më parë.
“Kuvendi gjithëserb” dhe deklarata që doli nga ky takim i mbajtur të shtunën në Beograd, është konsideruar kontradiktore dhe paradoksale për çka analistët politikë konsiderojnë se tashmë Kosova është njohur de-facto.
Për konkluzionet e miratuara në të ashtuquajturën asamble gjithëserbe në Beograd, ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-së në Sarajevë, duke i cilësuar këto konkluzione si sulm ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe institucioneve shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës.
Ambasada amerikane në Sarajevë tërheq vërejtjen se “konkluzionet e parlamentit gjithëserb”, të cilat i referohen Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe shtetit të pavarur të BeH janë të rrënjosura në dezinformimin ligjor dhe të mbushura me gabime.