Kuvendi shqyrton disa projektligje, nuk ka vendimmarrje

Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar disa projektligje derisa nuk ka arritur të vendosë në votim asnjë prej tyre për shkak të mungesës së kuorumit.

Deputetë e opozitës kanë lëshuar sallën pasi ka dështuar të votohet propozim rezoluta e tyre lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, në të cilën nuk ka marrë pjesë në votim partia në pushtet.

Seanca ka vazhduar me shqyrtimin e dhjetëra projektligjeve ndër të cilat edhe atë për tokën ndërtimore.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu derisa ka paraqitur për shqyrtim në parim këtë projektligj ka bërë të ditur se në këtë mënyrë bëhet përcaktimi  pronës mbi tokën ndërtimore dhe mënyrën e shfrytëzimit të saj, përcaktimin e procedurës për transferimin e tokës ndërtimore në pronësi shoqërore, private apo të komunës.


Toka ndërtimore në Kosovë është rregulluar me Ligjin mbi tokën ndërtimore, ky ligj është ende në fuqi sepse asnjëherë nuk është zëvendësuar apo shfuqizuar me ndonjë ligj tjetër, pra bëhet fjalë për ligjin e vitit 1986. Me ndryshimin e rrethanave politike ekonomike dhe juridike në Republikën e Kosovës zbatimi i ligjit të vjetër për tokën ndërtimore ka hasur në mangësi dhe zbrazëti dhe paraqet pengesë për zhvillimin e përgjithshëm dhe realizimin e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se projektligji në fjalë është hartuar bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe i njëjti përcakton proceduat lidhur me definimin e tokës ndërtimore përmes dokumenteve të planifikimit hapësinor.

Projektligji për tokën ndërtimore nuk është hedhur në votim për shkak të mungesës së vendimmarrjes, njësoj sikur projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, atë për borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore dhe dhjetëra të tjerë që janë shqyrtuar në seancën e sotme.

Pas shqyrtimit të këtyre projektligjeve, seanca ka shkuar në pushim prej 30 minutash.

Lexo edhe

Video