Kuvendi miraton në parim heqjen e homologimit për automjete

Kuvendi miraton në parim heqjen e homologimit për automjete

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 70 vota pro kanë votuar sot në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, që parasheh heqjen e homologimit të veturave të importuara nga BE-ja, raporton KosovaPress.

Ushtruesja e detyrës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se me këtë plotësim-ndryshim të Ligjit për automjetet po hiqet një padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës për më shumë se një dekadë

“Në këtë legjislaturë kemi marrë prapë iniciativën për të korrigjuar një padrejtësi e cila në Kosovë vijon prej vitit 2009. Është vlerësuar që ky autorizim që i është bërë një kompanie në veçanti ka siguruar ekskluzivitetin në kundërshti me rregullat e konkurrencës së lirë të tregut. Gjithashtu, ka pasur shkelje të vazhdueshme në procedurë, ka pasur reagim të Zyrës së Bashkimit Evropian dhe natyrisht shkelje të të drejtave të konsumatorëve për faktin se kanë qenë të udhëzuar që të kryejnë shërbime vetëm te një operator ekonomik. Me plotësim ndryshimin e projektligjit për automjetet dhe ne sigurojmë se do të hiqet kjo padrejtësi me mbi një dekadë”, tha Kusari-Lila.

PDK nuk e ka mbështetur heqjen e homologimit, por deputeti nga PDK-ja Mërgim Lushtaku, tha se sa i përket këtij ligji ai ka ngritur zërin në vazhdimësi për ndryshim, por për lejimin e importimit të veturave më të vjetra se 10 vjet.


“Meqenëse nuk jam në këtë Komision, gjithmonë jam munduar të ngre zërin sa i përket këtij ligji për ndryshimin e disa neneve, sidomos të nenit 44 paragrafi 2, ku thuhet që nuk mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vjet. Kam kërkuar që mos të ketë një standard të dyfishtë për arsye se Kosova e ka një standard të dyfishtë. Evropa ka vetëm një kriter ‘Euro disel 4’ për importimin e veturave, ndërsa Kosova fatkeqësisht i ka pasur dy standarde. E di që tash nuk është në shqyrtim kjo çështje, por dua të ngriti zërin përsëri”, tha Lushtaku.

Ndërsa, deputeti nga LDK-ja Besian Mustafa tha se e mbështesin plotësim- ndryshimin e projektligjit në fjalë, por kërkojnë të hiqet edhe monopoli për qendrat e kontrollit teknik, si dhe të ulet akciza për veturat e importuara.

“Po deklarohemi siç kemi bërë vitin e kaluar edhe sivjet se përkrahim iniciativën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për automjete, sepse rregullon një fushë të rëndësishme për sigurinë në trafik dhe sigurinë e automjeteve, dhe mbi të gjitha ul koston financiare dhe barrën administrative që rëndon mbi qytetarët e vendit. Siç kemi kërkuar edhe vitin e kaluar, po kërkojmë edhe sivjet që plotësim- ndryshimi i këtij ligji të jetë pjesë e një reforme më thelbësore të kësaj fushe. Po i ceku vetëm disa nga temat që kërkojmë të përfshihen largimi i monopolit të qendrave të kontrollit teknik, si dhe akciza tejet e lartë që konsiderojmë në veturat që importohen nga qytetarët tanë”, tha Mustafa. 

Edhe deputetët nga AAK-ja thanë se mbështesin plotësim-ndryshimin e Ligjit në parim për automjetet, që parasheh heqjen e homologimit.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: