Kuvendi me performacë të dobët, vetëm 10% të ligjeve të miratuara

Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës vazhdon të ketë performancë të dobët në përmbushje të agjendës legjislative. Megjithëse pak ditë na ndajnë nga muaji i fundit i vitit, të zgjedhurit e popullit kanë miratuar vetëm 10 për qind të ligjeve në tërësi. Mungesa e funksionalitetit të Kuvendit, sidomos në sesionin vjeshtor ku partitë u fokusuan në zgjedhjet lokale, po konsiderohet nga shoqëria civile si ndër arsyet e kësaj neglizhence. Nga opozita përgjegjsinë kryesore për performancën e dobët ia bartin mazhorancës, ndërsa në partinë në pushtet premtojnë një dinamikë të shtuar në ditët në vazhdim.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë për KosovaPress se deputetët muajtë e fundit më shume i kanë kushtuar rëndësi pjesëmarrjes në fushata zgjedhore se punës parlamentare.

Ai thotë se Kuvendi të paktën deri në fund të vitit duhet të përmbush 30 për qind të agjendës legjislative prej mbi 190 projektligjesh.

“Në bazë të monitorimit tonë sistematik mund të themi se si Qeveria ashtu edhe Kuvendi fatkeqësisht gjatë këtij viti nuk kanë arritur pothuajse as për së afërmi për ta përmbushur agjendën legjislative. Kuvendi i Kosovës mund të themi se nga 190 ligje që është paraparë në agjendën legjislative dhe tani ka miratuar vetëm 11 prej tyre  të cilat kanë hyrë në fuqi që i bie as 10% të asaj që është planifikuar deri në fund të vitit kur kësaj i shtohet fakti se deputetët fatkeqësisht më shumë i kanë kushtuar rëndësi pjesëmarrjes  nëpër fushata parazgjedhore për të mbështetur kandidatët e partive të tyre me theks të veçantë është parë kjo nga partia në pushtet dhe sigurisht që kjo e cenon edhe integritetin e Kuvendit e cenon edhe integritetin e deputetëve të cilët edhe përkundër faktit që janë zgjedhur për të përmbushur obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës të njëjtin kanë zgjedhur që të bëjnë fushata për kandidat për partitë e tyre duke lërë  anash obligimet që kanë ndaj Kuvendit ndaj miratimit të politikave dhe ligjeve. Nëse Kuvendi i Kosovës deri në fund të vitit nuk do arrij të përmbush as 30% të agjendës legjislative mund të themi se ka qenë  një ndër vitet e dështuara sikurse kanë qenë edhe vitet e kaluara kur Kuvendi nuk ka qenë në gjendje të përmbush obligimet ose së paku agjendën legjislative që ka përcaktuar qeveria”, deklaron ai.

Duke arsyetuar punën e opozitës në Kuvend, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, thotë se përgjegjësia kryesore për numrin e ulët të ligjeve të miratuara i takon Lëvizjes Vetëvendosje si partia në pushtet.


“Është e pamundur të realizohen objektivat e qeverisë, mendoj se nuk do të përmbushet agjenda (legjislative) nëse e marrim dy leximet, me kohën që kanë mbetur duke marr parasysh që hyjmë në muajin dhjetor në kohë festash. Mendoj që Kuvendi i Kosovës do i kaloj rreth 30% ligjet që realisht  nga strategjia e Qeverisë. Mendoj që është neglizhencë e Qeverisë edhe neglizhencë e mazhorancës e cila duhet me qenë më vigjilente në këtë drejtim,  opozita ka dhënë kontributin e vetë shumë nga ligjet që kanë kaluar ku ka qenë marrëveshje ndërkombëtar dhe janë dashur 2/3 e votave që janë  votuar”, thotë ai.

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, e pranon se zgjedhjet lokale kanë ndikuar efikasitetin e punës së Kuvendit, por shton se në ditët në vijimë do të ketë dinamik të shtuar të trajtimit dhe miratimit të projektlgijeve.

Ai thotë për KosovaPress se edhe pamundësia për të thirrë seancë plenare në katër javët e fundit ka qenë për shkak të sabotimit të Listës Serbe në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës.

“Siç dihet ne kemi një plan legjislativ jashtëzakonisht ambicioz shumë më ambicioz sesa legjislaturat e mëparshme. Natyrisht që edhe zgjedhjet lokale kanë reflektuar në efikasitetin e punës së Kuvendit të Kosovës, por pas përfundimit të zgjedhjeve lokale është e domosdoshme dhe kjo po vërehet dhe tashmë Kuvendi me një intensitet të shtuar ka filluar të trajtoj projektligjet….Mos mbajtja e seancave ose dështimi për të thirrur seancat në dy javët e fundit ndërlidhet kryesisht me faktin se  kryesia e Kuvendit nuk ka pasur kuorum për të miratuar apo  për të përgatitur rendin e ditës për seancë apo për të marr vendimin për të thirrur seancën, unë mendoj se kjo është eliminuar nga zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e grupit parlamentar të PDK-së sepse siç e dimë Lista Serbe e kishte sabotuar do të thoja ose bllokuar mbledhjen e kryesisë, por për sa i përket mazhorancës kuorumit nuk ka pasur asnjëherë ndërprerje të seancës ose mos mbajtje të seancës për shkak të mungesës së kuorumit”, thotë ai.

Pas më shumë se 1 muaji, Kuvendi gjatë kësaj jave mbajti seancë pleanre, për gjatë dy ditëve u miratuan një sërë projektligjesh në lexim të parë. E njëjta seancë pritet te vazhdojë edhe gjatë të hënës së javës së ardhshme.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: