Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare gjatë kësaj jave. Deputetët fillimisht do të mblidhen të mërkurën me 7 qershor për të shqyrtuar një mori pikash të papërfunduara nga seancat e kaluara, kurse të enjten do të mbajnë fillimisht një seancë të veçantë plenare ku do të shqyrtohet Projektligji për reformën zgjedhore, ndërsa pas kësaj do të mbahet seanca e rregullt me pika të tjera në rend të ditës. Kjo u vendos sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se ka një konsensus mbipartiak për miratimin e reformës zgjedhore, derisa bëri të ditur se të enjten pritet të shqyrtohen edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, raporton KosovaPress.
Miratimin e reformës zgjedhore e konsideroi të nevojshëm edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se do të propozojnë rritje të koeficientit të pagave nga 105 në 129 euro, përmes amendamentimit të Ligjit të buxhetit.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme të Kryesisë u bë e ditur se do të dalë në pension sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
I njëjti në një adresim para mediave, u shpreh falënderues ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve të tij në 17 vjet që ka mbajtur këtë post.