Kuvendi i Kosovës e Shoqata Vatra nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Kuvendi i Kosovës dhe Federata Panshqiptare Vatra kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se kjo shoqatë me kontributin e saj ka lënë gjurmë të pashlyeshme për kombin shqiptar.

Konjufca ka theksuar se Vatra ka bërë çdo gjë që ka qenë e mirë dhe e nevojshme për popullin shqiptar, duke dhënë kontribut edhe për pavarësinë e Kosovës.


“Kemi kënaqësinë të nënshkruajmë memorandumin e bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe një shoqate kaq të respektuar, Federatës Panshqiptare Vatra, e cila me të vërtetë ka lënë gjurmë të pashlyeshme me kontributin e vet për kombin shqiptar edhe për pavarësinë e Kosovës, gjithçka që ka qenë e mirë dhe e nevojshme për popullin tonë. Prandaj gjithmonë do të jeni të mirëseardhur në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa kryetari i Federatës Panshqiptare Vatra, Elmi Berisha ka thënë se kjo shoqatë nuk është ndalur për 110 vjet duke ndihmuar çështjen kombëtare.

“Çka është shumë e rëndësishme për mua si udhëheqës i Vatrës në këto kohëra, mendoj që është koha më e mirë që t’i kanalizojmë energjitë tona intelektuale, lobuese dhe të formalizojmë njohjen reciproke me Serbinë, kjo energji duhet të përdorët në Uashington, Nju Jork dhe të gjitha institucionet e tjera në shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kongres, në Senat, dhe do të jetë një koordinim i punës sonë, Parlamentit të Kosovës, deputetëve që janë votuar me votën e qytetarëve dhe besoj që kjo është mënyra më e mirë që të vazhdojmë përpara në mënyrë permanente në mes të federatës Panshqiptare Vatra shqiptaro-amerikanëve dhe lidershipit atje”, ka thënë ai.

Lexo edhe

Video