“Kushti për ngritjen e pagës në sektorin privat jofunksional dhe diskriminues”

Përfaqësues të sektorit privat dhe bizneset thonë se janë diskriminuar nga Qeveria e Kosovës me pakon kundër inflacionit, në të cilën përfshihet subvencionimi i punëtoreve në ndërmarrjet publike me shumën prej 100 eurosh, porse e njëjta nuk vlen edhe për punëtorët e sektorit privat.

Kryesindikalisti i punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi ka thënë për KosovaPress, se nëse qeveria të njëjtën masë nuk e respekton edhe për punëtorët privat le t’i merr ato para dhe ta paguan rrymën e serbeve në veri.

Azemi tha se ky është vendimi më skandaloz i kësaj qeveria që nga ardhja e tyre në pushtet.

“Mendoj se vendimi më skandaloz që nga ardhja në pushtet e deri më sot, është bërë diskriminimi i punëtorëve të sektorit privat prej punëtorëve të sektorit publik. Ne nuk e themi se me ato 50 euro ose 100 euro në një formë do ta zgjedh çështjen e asistencës sociale, por nëse një punëtor i sektorit privat, e ku janë mbi 200 punëtorë të cilët kryejnë obligimet e veta ndaj buxhetit të Kosovës, nëse punëtorët e sektorit privat të Kosovës janë dyfish më të varfër me pagat e tyre, me këto t’i stimulosh me arsyeje punëtorët e sektorit publik dhe t’i lësh jashtë punëtorët e sektorit privat, ky diskriminim ka ndodhur vetëm në vitet 90/ 99.  T’i japësh një grupit të caktuar që është dyfish më i pasur sesa ne dhe mos të na japësh neve, që kryesisht pjesa dërmuese e mbushin buxhetin”, tha Azemi.

Azemi shtoi se qeveritarët do t’i mallkojë djersa e punëtorëve të sektorit privat.

“Qeverisë mund t’i them vazhdo kështu se me këto vendime nuk ke ardhur në pushtet, këta njerëz që sot i ke prurë në këtë gjendje, këta sigurisht se edhe në të ardhmen janë në vetëdije si të vendosin. Ju ke premtuar shumë që do të ketë pagë 350 euro, ke premtuar stimulim më shumë se punëtoret e sektorit publik, ke premtuar se do të ketë mbi 100 inspektorë për mbikëqyrjen e ligjit, punës dhe ligjeve tjera me qëllim të përmirësimit të pozitës të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës dhe i njëjti t’i shantazhojë këta punëtorë, më të vërtetë jam pa koment… Këtë ndarje që e ke bërë është shumë e rëndë dhe do të iu mallkojë djersa e punëtoreve të sektorit privat. 4:48 Po e them me ironi nëse nuk na jep neve, dhe që nuk është duke na dhënë, atëherë le ta merr dhe ta paguan rrymën e serbeve të cilët të cilët bëjnë komoditet me djersen tonë”, shtoi Azemi.

Ai thotë se i kanë dërguar katër shkresa kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, ku kanë kërkuar që të ndryshohet kushti i fundit për rritjen e pagave të punëtorëve të sektorit privat, porse të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

“Nuk kemi dëshirë që të hymë në konfrontime me qeverinë, sepse e morëm një mostër nga greva, por megjithatë i themi që je pjesë përbërëse e ikjes së të rinjve nga Kosova, pasi nuk e ke bërë as lavrën e miut për t’ia rregulluar punëtorit të sektorit privat gjendjen… Të qeveria vetëm për kërkesën e eliminimin e kushtëzimit nga pronarët e kompanive, janë rreth katër për kryeministrin dhe katër për ministrin… Nuk kemi marrë asnjë përgjigje, në një formë heshtin”, tha Azemi për KosovaPress.

Eksperti i burimeve njerëzore, Liridon Alidemaj ka renditur disa nga arsyet për të cilat punëtorët e sektorit privat janë më të diskriminuar.


Alidemaj tha se qeveria duhet urgjentisht të bëjë ndonjë plan që ta ndryshojë qasjen me punëtorët e sektorit privat, derisa shtoi se duhet të ofrojë fitime të cilat kanë munguar tek ky sektor.

“Arsyeja pse janë më të diskriminuar është duke filluar nga orari i punës, në shumicën e sektorit privat punohet ditëve të vikendit, ku ka punëtorë që punon deri në 60 orë në javë që është kundër ligjit të punës, është një sektor që nuk duhet lënë anash dhe në asnjë mënyrë nuk duhet qenë i diskriminuar… Duhet të hapen vende të reja të punës, Kosova duhet të prodhojë më shumë, relacionin mes ministrisë punës dhe kompanive private duhet institucioneve, duhet të prodhojmë më shumë për shkak se shumicën e rasteve ne vetëm po importojmë dhe kjo po ndikon që ne me pas më pak vende të lira të punës… Duhet urgjentisht të bëhet një plan, strategji si të ndryshohet qasja dhe të ofrojnë benifite që deri tash kanë munguar të punëtorët, duke filluar nga kontrata”, tha Alidemaj.

Mjaftë të shqetësuar për këtë masë janë shprehur edhe disa nga bizneset, derisa kanë pohuar se kjo e fundit nuk ka funksionuar.

Flamur Smajli, menaxher i një nga restorantet në kryeqytet, tha se masa e qeverisë për sektorin privat ka qenë jofunksionale dhe diskriminuese.

Smajli ka kërkuar nga qeveria që t’i trajtojë njëjtë edhe punëtorët e sektorit privat.

“Masa e fundit nuk ka qenë edhe aq shumë funksionale pasi te ne nuk ka ndikuar aq shumë, sepse pagat rriten në ndërkohë, nuk rriten si kjo masë kur e bënë qeveria… Pra, nuk ka qenë aspak funksionale dhe shpresojmë të trajtohemi njëjtëe sikur sektori publik, do të thotë të jepen nga 50 euro edhe për sektorin privat.. Jemi pak më të diskriminuar sepse na është detyruar nëse veç ka ngritje të pagave, ndërsa sektorit publik i dalin paratë pa i detyruar punëdhënësit t’i ngrisin pagat”, tha Smajli.

Edhe Faton Osmani, menaxher i njërës nga kafeteritë në kryeqytet, tha se nuk ka funksionuar si masë, derisa kërkoi nga qeveria që të trajtohen njëjtë punëtorët në secilin sektor.

“Ka qenë jo funksionale, derisa edhe ne i paguajmë mjetet si çdo punëtor tjetër, s’ka qenë funksionale si masë… Kërkoj që edhe për në t’i zbatoj të njëjtat… Duam që edhe ne të trajtohemi njëjtë si punëtorët e sektorit publik”, tha Osmani.

Qeveria e Kosovës gjatë muajit shtator të këtij viti ka prezantuar pakon e re kundër inflacionit, me të cilën pensionistët janë mbështetur me 100 euro shtesë, zyrtarët publikë me 50 euro. Kurse, punëtorët në ndërmarrje publike janë mbështetur me nga 100 euro. 100 euro janë planifikuar edhe për studentët.

Ndërsa, sa i përket sektorit privat, Kurti kishte thënë se do të mbështesin secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve. Duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.

Lexo edhe

Video