Kushtetuesja merr vendim për faljen e tatimit në pronë, reagon ministri Murati
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se ka marrë vendim në favor të Qeverisë së Kosov sa i përket çështjes së faljes së tatimit në pronë për qytetarët e vendit.
Sipas Kushtetueses, komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje lokale.
Gjykata Kushtetuese po ashtu ka shfuqizuar vendimin që kishte marrë në muajin shtator ku pati vendosur masë të përkohshme për nenin e Ligjit për tatimin në pronë, që parashihte faljen e 100 eurove të tatimit në pronë.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj e kishte dërguar në Kushtetuese ligjin për interpretim. Asociaciacioni i Komunave kishte akuzuar ekzekutivin për ndërhyrje në kompetenca të komunave dhe se me këtë ligj ato dëmtoheshin duke ua zvogëluar buxhetin vetanak.
Menjëherë pas këtij vendimi ka reaguar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ai ka shkruar se të gjitha kritikat e akuzat ndaj Qeverisë për këtë temë kanë qenë të pabaza, dhe kjo gjë sipas tij edhe u dëshmua tani.
“Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se opozita synim të vetëm e ka bllokimin e shtetit, qoftë edhe në kurriz të qytetarëve. Qytetarët do ta mbajnë mend këtë”, ka shkruar Murati në Facebook.
Kushtetuesja ka bërë të ditur gjithashtu se periudha 15-ditëshe që komunat të vendosin për faljen e tatimit në pronë, nis nga dita e hyrjes në fuqi të aktgjykimit.
“Gjykata ka vendosur që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) neni 5 i Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 5 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin për Masë të Përkohshme të 1 shtatorit 2023, meqenëse Gjykata tashmë ka vendosur lidhur me meritat e rastit; si dhe që (iv) afati i mbetur pesëmbëdhjetë (15) ditor nga afati tridhjetë (30) ditor i përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 11/B (Shuma e faljes së tatimit në pronë për pronën e paluajtshme) të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, fillon të rrjedhë nga dita e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetueses.