Kushtetuesja kundërshton Supremen dhe Apelin për kontestin e Telekomit dhe Z-Mobile

Kushtetuesja kundërshton Supremen dhe Apelin për kontestin e Telekomit dhe Z-Mobile

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë aktvendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me kontestin e Telekomit dhe Z-Mobile.

Sipas vendimit të publikuar, Kushtetuesja vlerëson se aktvendimi i Supremes dhe i Gjykatës së Apelit ishte në kundërshtim me garancitë procedurale, të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës.


“Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Marrëveshjen për Shërbimet Mbështetëse të Operatorit Virtual të Rrjetit Mobil (Marrëveshja), të lidhur në mes të parashtruesit të kërkesës, përkatësisht Telekomit të Kosovës dhe Kompanisë “Dardafon”, lidhur me ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile. Marrëveshja e lartcekur, kishte rezultuar në një kontest në mes të palëve dhe si pasojë, kompania “Dardafon” kishte iniciuar tri (3) procedura të ndryshme, si në vijim: (i) procedurën para Tribunalit të Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare (ICC) lidhur me zgjidhjen e kontestit nga Marrëveshja e lartcekur, e cila kishte rezultuar në nxjerrjen e Vendimit përmes të cilit, ndër tjerash, detyrohej parashtruesi i kërkesës që kompanisë “Dardafon”, t’i paguaj një shumë të caktuar parash për shkak të mos respektimit të Marrëveshjes; (ii) procedurën lidhur me njohjen e Vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit të ICC-së, e cila kishte rezultuar në njohjen e këtij Vendimi nga Gjykata Themelore, vendim ky që ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe rrjedhimisht kishte arritur formën e prerë; si dhe (iii) procedura lidhur me përmbarimin e Vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit të ICC-së”, thuhet vendim.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet po ashtu se objekti i çështjes para Gjykatës ndërlidhet vetëm me procedurën e tretë, përkatësisht procedurën lidhur me përmbarimin e Vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit të ICC-së.

“Kontesti në procedurë përmbarimore kishte filluar pasi parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar prapësim në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Urdhrit Përmbarimor të nxjerrë nga Përmbaruesi Privat pas kërkesës së kompanisë ‘Dardafon’… Rrjedhimisht dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme dhe Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6  të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e kthyer të njëjtin për rivendosje në Gjykatën e Apelit, marrë parasysh që kjo e fundit, siç është sqaruar në Aktgjykim, ka “juridiksion të plotë” për të adresuar të metat procedurale të cilat kanë rezultat në kontestimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore”, thuhet në vendim.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.