Kusari-Lila reagon ndaj aksidenteve me fatalitet: Urgjentisht të merren masa parandaluese

Kusari-Lila reagon ndaj aksidenteve me fatalitet: Urgjentisht të merren masa parandaluese

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas aksidenteve të fundit me fatalitet në Kosovë.

Ajo në një postim në Facebook ka bërë thirrje për kujdes dhe vëmendje për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor, duke thënë se rrugët e Kosovës çdo ditë po shënojnë viktima dhe të lënduar nga aksidentet e trafikut, rrezik ky i cili po kanoset nga pakujdesia e vozitësve është brengosës.


“Urgjentisht duhet të merren masa parandaluese, në veçanti tani gjatë muajve të verës kur numri i makinave në trafik shtohet dukshëm. Kujdes dhe vëmendje për të gjithë vozitësit dhe kalimtarët, jeta është e shtrenjtë të humbet në aksident trafiku”, ka shkruar Kusari-Lila, duke ngushëlluar familjarët e viktimave.

Në një aksident trafiku në Koshare të Ferizajt kanë humbur jetën katër persona, më i riu 12-vjeç dhe tre të tjerë janë lënduar, ndërsa në një vetaksident në orët e mbrëmjes në rrugën Pejë-Prishtinë ka humbur jetën një 23-vjeçar.

Kryetari i Shtimes Naim Ismaili ka shpallur të hënën ditë zie në këtë komunë, në shenjë nderimi për katër anëtarët e familjes Ramadani që humbën jetën në aksidentin e sotëm të trafikut.

Lexo edhe

Video

error: