Kusari-Lila për asociacionin: Do të rezistojmë siç kemi bërë deri tani

Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se do të rezistojnë për krijimin e asociacionit nëse insistimi për themelimin e tij është për të forcuar një mekanizëm të Serbisë në Kosovë.

Në një konferencë për media, ajo ka thënë se nuk po krijohen augmente kredibile për përmirësimin e jetës së qytetarëve serb në Kosovë por për krijimin e mekanizmave të ndikimit të Serbisë.

Kusari-Lila ka përmendur Listën Serbe, e cila është pjesë e Kuvendit të Kosovës, por sipas saj ka muaj që abstenon tërësisht nga të gjitha veprimet brenda institucionit.

Ajo ka thënë se ata nuk përfaqësojnë interesat e komunitetit serb në Kosovë, por vetëm ato të Serbisë.

“Nëse ideja për themelimin e asociacionit dhe insistimi për themelimin e asociacionit është për të krijuar dhe forcuar një mekanizëm të Serbisë për funksionim në Kosovë, atëherë natyrisht që do të rezistojmë ashtu siç është rezistuar deri më tani, për arsye se nuk po krijohen argumentet kredibile për përmirësimin e jetës së qytetarëve pra komuniteti serb në Kosovë, por për krijimin e mekanizmave të ndikimit të Serbisë në Kosovë, i cili deri më tani është negativ skajshmërish, nga nismat rajonale ,nga problemet në veri të vendit dhe situatat e vazhdueshme problematike që qojnë deri të ajo çfarë po shihet tashmë edhe nga vendet tjera fatmirësisht edhe të BE-së, SHBA-së për qasjen destruktive dhe problematike në Serbisë në vend”, ka thënë ajo.


Kusari-Lila ka thënë se duhet të ketë dialog të brendshëm me komunitetin serb për çështje që u përkasin atyre brenda Kosovës së pavarur.

“Pa e pasur një diskutim mirëfilli të brendshëm, ashtu siç e ka deklaruar edhe kryeministri i vendit, një dialog të brendshëm me komunitetin serb, me çështje të cilat i përkasin atyre në Kosovë si republikë e pavarur për të gjithë qytetarët  njëjtë e pa dallim, nuk mund të flasim për çështje të cilat kanë synim obstruksionin e shtetit të Kosovës dhe funksionimin e mirëfilltë të vendit”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se parashohin që më 1 shtator të fillojë zbatimi i vendimit të qeverisë për zëvendësimin targave ilegale dhe atij për reciprocitetin në dokumente.

Ndërsa lidhur me ndikimin rus në Kosovë, ajo ka thënë se qeveria është vlerësuar si një prej qeverive më proaktive në rajon në raport me parandalimin e këtij ndikimi.

“Kuvendi duhet të ketë rol më të madh dhe do të ketë, gjithashtu përmes mekanizmave në komisionet funksionale ku mbikëqyret puna e organeve rregullatorë dhe atyre që licencojnë, në veçanti ato të mediave për shkak se është vërejtur se ndikimi dhe depërtimi më i madh i dezinformimit apo tendencave për ndikim rus është bërë përmes mediumeve apo rrjeteve të ndryshme që ata kanë shfrytëzuar. E dini që menjëherë pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës, Kosova ka qenë ndër vendet e para që ka bërë ndalimin e funksionimit të emetimit të disa mediave që janë vlerësuar me propagandë ruse, por besoj që kurrë nuk është mjaft, është betejë e vazhdueshme, shumëvjeçare. Përderisa kemi aktive luftën Rusi- Ukrainë, do të kemi përpjeke të vazhdueshme edhe të Rusisë edhe Serbisë që të ketë shpërqendrim edhe në situata të ngjashme apo situata të krijuara artificialisht në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo.

Lexo edhe

Video