Kusari-Lila: Ligji i pagave e Kodi civil do të trajtohen në sesionin vjeshtor

Ligji i pagave dhe Projekt-kodi civil do të shqyrtohen në Kuvend vjeshtën e këtij viti, ka thënë ushtruesja e detyrës së shefit të grupit të deputetëve të Vetëvendosjes Mimoza-Kusari Lila.

Në një konferencë për media ajo është shprehur optimiste se Kodi civil do të arrijë të miratohet në vjeshtë ani pse të njëjtin e kanë kundërshtuar edhe deputetët e partisë në pushtet.

Kusari-Lila ka thënë se në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka mendime ndryshe për projekt-kodin civil, por ka theksuar se i njëjti është shumë tejet i rëndësishëm andaj sipas saj kanë filluar komunikimin me të gjithë deputetët për të siguruar mbështetje.

“Brenda grupit tonë parlamentar, por edhe me grupet e opozitës, kemi filluar edhe komunikimin dhe angazhimin. Nuk është një dokument, i cili duhet të thjeshtësohet në një çështje siç ka pasur tendencë dhe fatkeqësisht ka marrë konotacion të përgjithshëm në opinionin publik që projekt-kodi civil ka të bëjë vetëm me një çështje apo vetëm me një nen. Projekt-kodi civil rregullon jetën e qytetarëve të Republikës prej lindjes deri në vdekje… Përkundër mendimeve ndryshe, edhe në kuadër të grupit tonë parlamentar, ne jemi shumë optimistë që projekt-kodi civil do të kalojë në sesionin vjeshtor dhe Kosova do të arrijë të ketë në aspektin normativ të rregulluar edhe këtë çështje të rëndësishme për jetën e qytetarëve pa dallim”, ka thënë ajo.


Kusari-Lila ka folur edhe për punën e mazhorancës gjatë sesionit pranveror, të cilin e ka quajtur të suksesshëm. Ajo ka thënë se në këtë sesion Kuvendi ka arritur të thyejë rekord në miratimin e ligjeve, me 87 ligje të miratuara në të dy leximet dhe më 18 marrëveshje ndërkombëtare.

“Dinamizmi i mëtejshëm i punës në komisione, përmbushja në afate optimale e agjendës legjislative, organizmi i sa më shumë dëgjimeve publike dhe rritjes së transparencës me qytetarë, trajtimi i sa më shumë çështjeve të adresuara nga qytetarët drejt Kuvendit dhe grupit tonë parlamentar në veçanti, përsosja e sistemit të mbikëqyrjes së institucioneve që raportojnë në Kuvend dhe shtimi eksponencial i numrit të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve në të gjitha fushat. Në aspektin e miratimit të ligjeve, Kuvendi në këtë sesion ka arritur të thyejë rekordin e vet që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës me 87 ligje të miratuara në të dy leximet, dhe 18 marrëveshje ndërkombëtare, gjë që nënkupton bashkëpunimin e pozitës dhe opozitës në miratimin këtyre marrëveshjeve”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndërsa deputeti Adnan Rrustemi ka thënë se gjatë këtij sesioni nga opozita ka pasur synime për degjenerim të debatit dhe deformim të së vërtetës.

“Ne si përfaqësues politik të shumicës nuk instrumentalizojmë nevojat dhe problemet e shtresuara prej vitesh në shoqërinë tonë. Kjo luftë nuk do të ndalet asnjëherë. Nga kjo nuk mund të na ndalin as inskenimet në shesh, as kurdisjet nga forca të regjimit të vjetër. Ne luftojmë sinqerisht për këto të drejta, haptas e publikisht, pa skenar të fshehtë e pa kurdisje, ngase ne jemi për organizimin shoqëror të grupeve dhe forcimin e tyre, ndryshe nga ata që ende i shohin sindikatat e shoqatat si investim klanor e partiakë”, ka thënë Rrustemi.

Video