Kusari-Lila: I habitshëm vendimi i LDK-së, uroj të ketë reflektim deri në tejkalimin e situatës

Kusari-Lila: I habitshëm vendimi i LDK-së, uroj të ketë reflektim deri në tejkalimin e situatës

Kryetarja e Alternativës, njëherit deputetja Mimoza Kusari-Lila e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se një qeveri teknike nuk është ide e mirë, ndërsa vendimin për të iniciuar mocion mosbesimi nga ana e Lidhjes Demokratike e ka quajtur të habitshme.

Në një intervistë me KosovaPress, Mimoza Kusari-Lila shpresoi në një reflektim nga ana e LDK-së të paktën të mos iniciojë asnjë kërkesë derisa vendi të kalojë periudhën e emergjencës.

Ajo tha se do të ishte e rrezikshme që 120 deputetë si dhe stafi administrativ që të ekspozoheshin përpara rrezikut që e ka përshirë vendin nga virusi COVID-19


“Veprimi i LDK-së ishte i habitshëm. Kërkesa e tyre në këtë kohë është e papranueshme. Uroj që të ketë një reflektim të brendshëm dhe të paktën të mos ndërmarrë asnjë veprim derisa të kalohet edhe kjo situatë, pasi në të tilla kushte është e rrezikshme që të mblidhet edhe Kuvendi i Kosovës pasi do të ekspozoheshin 120 deputetë si dhe stafi administrativ. Ne e dimë që gjatë seancës për buxhetin vetëm një deputet ka munguar”, deklaroi Kusari-Lila.

Duke përmendur edhe anulimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës, ajo theksoi se nuk është koha që vendi të shkojë në zgjedhje nacionale.

Kusari-Lila mendon se veprimi i duhur është që qeveria aktuale duhet të vazhdojë deri në tejkalimin e situatës.

Sipas saj, nëse përjashtojmë rastin e zgjedhjes së presidentes Atifete Jahjaga, akterët vendorë asnjëherë nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për çështje të tjera e kështu mendon se do të ishte edhe për mundësinë e një qeverie teknike.

Lexo edhe

error: