Kusari-Lila: Gjakova do të bëhet qendër inovacioni

Për 12 vjet në skenën politike, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se përpjekja e saj ka qenë largimi i AAK-së nga Gjakova. Kjo parti, sipas saj, ka kontrolluar burimet financiare dhe ka keqmenaxhuar me këtë komunë. Ajo ka premtuar rikthimin e komunës në qendër inovacioni.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, pasditen e së enjtes ka takuar gjakovarët që jetojnë në Prishtinë. Ajo u shpreh e bindur që kjo do të jetë paraqitja e saj e fundit si shefe e GP-së të LVV-së, meqë sipas saj nga e hëna do të jetë kryetare e Gjakovës.

“Gjakova mbetet me mua prej ditës së parë kur kam hyrë në politikë. Në politikë kam hyrë për të kandiduar për Gjakovën në vitin 2009. Edhe në politikë kam vazhduar të mbes çdo katër vjet që t’i kthehem Gjakovës. Një konstante ka mbetur në këtë proces 12-vjeçar, përpjekja ime që të heq Aleancën prej Gjakovës. Jo në përpjekjen time personale, sepse kam diçka personale. Por, në përpjekjen time për të hequr antivlerat, të cilat kamuflohen në diçka që ka qenë përpjekje, angazhim edhe vuajtje e gjithë popullit shqiptar në Kosovë, të vlerave të luftës. Dhe për t’i nxjerrë ato çka në esencë janë. Në esencë janë tendencë e atyre njerëzve që të kapin pushtetin t’i kontrollojnë burimet financiare dhe në fund të kamuflohen me ndjenjën se ne e kemi për arsyeje sepse neve na takon”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Më tej, ajo theksoi se në komunën ku ajo po synon mandatin katërvjeçar, qytetarët nuk po trajtohen të barabartë.


“Synimi im është që Gjakova përveç industrisë, turizmit, të bëhet edhe qendër e inovacionit. Njëjtë si kemi inkurajuar edhe në vitin 2015-‘Bëne vet’, duke qëndruar në Gjakovë duke ofruar si e vetmja komunë në Kosovë, makër-space komunës, njëjtë synojmë që objektin aktual të ‘Bankosit’, e cila përdoret si administratë e kuvendit ta kthejmë në qendër të inovacionit dhe teknologjisë. Gjithashtu synojmë zbatimin e një plani të mobilitetit që ka qenë i miratuar në vitin 2017”, shtoi ajo.

Në planin e saj katër-vjeçar, kandidatja e LVV-së theksoi se ka edhe rikthimin e vlerave të mirëfillta të artizanatit.

Votën për Mimoza Kusari-Lilën e ka kërkuar edhe bashkë-partiaku i saj, Hekuran Murati.

“Çdo votë është me rëndësi, për pak, me 0.29 për qind ka mund të mos ndodhë ndryshimi i madh. Dhe krejt ai mund që është bërë kishte mund të shkojë huq, se të këqijtë bëhen shpejt bashkë. Ata i lidh paraja, financimi, korrupsioni i lidh bashkë. Nuk kanë interesa madhore e shtetërore. E në anën tjetër është shumë e rëndësishme edhe niveli lokal të transferohet ky ndryshim. Mobilizimi të ndodhë po i njëjti, edhe ju që jetoni këtu dhe mund të votoni këtu, besoj që keni anëtarë të familjes të juaja që i keni në Gjakovë dhe mund të flisni me ta. Edhe me i bind që mos ta lejnë ‘hajt se ndoshta fiton Mimoza, e mos të dalë unë’. Se mund të jetë garë e ngushtë qoftë edhe për një votë. Ndryshimi i madh ka ndodhur me 0.29 për qind më 14 shkurt”, ka thënë ai.

Kandidatja për kryetare të Gjakovës ka siguruar në integritet të procesit zgjedhor, ku kërkoi nga gjakovarët që jetojnë në Prishtinë, që të dielën të votojnë. Ajo tregoi se kanë siguruar transportin për të lehtësuar transportin për Gjakovë për këto tri ditë.

Lexo edhe

Video