Kurti: Zymberi vdiq në krye të detyrës, por aksioni u ndërpre me urdhër të Thaçit

Kurti: Zymberi vdiq në krye të detyrës, por aksioni u ndërpre me urdhër të Thaçit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar pjesëtarin e forcave speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, me rastin e 9-vjetorit të rënies së tij në veri të Kosovës, duke thënë se ishte kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi ai i cili dha urdhrin që të ndërpritej ky aksion.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se rendi e ligji nuk u vendosën në veri, por sipas tij, ‘pushtetarët asokohe vendosën të negociojnë dhe të integrojnë në institucione pikërisht strukturat përgjegjëse për vrasjen e Enver Zymberit’.

Postimi i plotë:

Para 9 vitesh humbi jetën në krye të detyrës pjesëtari i forcave speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.


Enver Zymberi, i paharrueshëm për ne, është shembulli më domethënës i policëve tanë. Ata janë të gatshëm të japin gjithçka, edhe jetën, për sigurinë e Kosovës e të qytetarëve të saj.

Me ndjenjën e lartë të detyrës e të patriotizmit, heroi Enver Zymberi bashkë me shumë policë të tjerë morën pjesë në një aksion që synonte vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Republikës së Kosovës. Aty ai u vra në rrethana ende të pasqaruara nga organizatat kriminale që mbajnë peng qytetarët në atë pjesë të vendit tonë.

Por ai aksion u ndërpre me urdhër të kryeministrit të atëhershëm (tani president në fund të mandatit të tij). Rendi e ligji nuk u vendosën atje, përkundrazi, e më pas pushtetarët asokohe vendosën të negociojnë dhe të integrojnë në institucione pikërisht strukturat përgjegjëse për vrasjen e Enver Zymberit.

Gjatë këtyre 9 viteve përpjekjet për drejtësi kanë qenë të pamjaftueshme, për të mos thënë që kanë munguar tërësisht. Por Kosova ka nevojë për një qeveri që punon për ta shtrirë rendin e drejtësinë në gjithë vendin, që sjell drejtësi edhe për Enver Zymberin. Atë drejtësi ia kemi borxh Kosovës, Republikës sonë dhe policëve të saj.

Lexo edhe

Video

error: