Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Kurti zotohet se do ta realizojë projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Kurti zotohet se do ta realizojë projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Në mbledhjen e parë të Komitetit Ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u zotua se këtë projekt do ta trajtojnë në nivelin e seriozitetit që e meriton dhe se do ta bëjnë realitet atë që nuk është me vite.

Ai u shpreh se komiteti do ta bëjë punën në mënyrën më profesionale, transparente, gjithëpërfshirëse dhe me integritet të lartë politik e kombëtar, derisa u shpreh se do të sigurohen që ekspertiza më e mirë kombëtare dhe ndërkombëtare të jetë e angazhuar në hartimin dhe zbatimin e këtij projekti.

“Projektin për kompleksin memorial ‘Adem Jashari’ kemi vendosur ta trajtojmë në nivelin e seriozitetit që e meriton, pra në nivelin më të lartë. Si kryeministër i Republikës së Kosovës do t’i prij këtij komitetit dhe bashkë me juve anëtarë të respektuar, ministra e drejtues të institucioneve të rëndësishme shtetërore do ta bëjmë realitet atë që nuk u realizua për vite me radhë. Koncepti i paraprin projektit, andaj duhet të vendosim se çka dhe pse para se të vendosim si, sa dhe kur”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se monumentet, bustet, statujat, komplekset memoriale kanë për qëllim ta mbrojnë historinë nga pesha e së përditshmes, por që tha se nga ajo që kanë parë të realizohet deri më tash është shpesh privatizimi i personaliteteve dhe ngjarjeve historike.

Kjo, sipas tij, ka ardhur edhe nga neglizhenca e institucioneve në përgjithësi dhe jo vetëm nga dëshira e të afërmeve për të parë të rimëkëmbet vlera e dëshmorit apo patriotit.

I pari i qeverisë, tha se propozon që të rishikohet paradigma historiografike dhe urbaniste e sjelljes me heronjtë e vendit, ku tha se jo më vetëm sipas vetës por edhe sipas një syri të huaj.

Kurti tha se duhet të gjejnë mundësitë që brenda kompleksit një prej veprave në llojin e monumentit mos të vijë prej shoqërisë, po nga një prej artistëve me të njohur në botën aktuale, e që kjo sipas tij do të ndikonte që turistët të vijnë për ta parë veprën e artistit të madh ku njëkohësisht do ta kuptonte edhe aktin e madh të heroit.


“Është bërë një punë e mirë për kompleksin, është bërë një sipërpërpjekje për mbrojtjen e kullës nga elementet atmosferik, është bërë një paraqitje fisnike e varreve, është bërë një ekspozim i mirë në tërësi i këtyre varreve. Por, po i adresoj në një strategji thelbësore, Adem Jashari, baca Shaban e Hamëz dhe e gjithë familja Jasharaj kanë kryer një vepër të pakrahasueshme edhe në rendin botëror. Ne duhet të gjejmë mundësitë që brenda kompleksit një prej veprave në llojin e monumentit mos të vijë prej shoqërisë tonë, po nga një prej artistëve me të njohur në botën aktuale. Një pjesë e turizmit më të rëndësishëm gjeopolitik, ai kulturor viziton vende ku kanë lënë gjurmët dhe veprat e tyre artistët më të mëdhenj…Heroi është një infleksion në historinë lokale të botës, andaj për këtë hero duhet ta gjejmë një artist që sjell këtu turizmin më të ditur. Turisti më dijetar dhe më i informuar do të vijë për të parë veprën e artistit të madh. Pastaj do ta njoh, kuptojë dhe shpërndajë aktin e madh të heroit”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se komiteti do ta bëjë punën në mënyrë profesionale, transparente, gjithëpërfshirës dhe me integritet të lartë politik e kombëtar, ndërsa tha se janë të përkushtuar që ta realizojnë projektin me të gjitha elementet përbërëse teksa përmendi se do të ketë zhvendosje të disa shtëpive në lagjen Jasharaj përfshirë edhe shtëpitë e familjes Jashari.

“Do të sigurohemi që ekspertiza më e mirë kombëtarë dhe ndërkombëtare të jetë e angazhuar në hartimin dhe zbatimin e projektit për kompleksin memorial Adem Jashari. Kjo sepse siç e specifikon qartë edhe neni 2 i ligjit  kompleksi memorial Adem Jashari në Prekaz ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike e kulturore, e qytetare për Skenderajn, Drenicën, Kosovën dhe tërë kombin shqiptar. Jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin e këtij projekti, prandaj edhe do të jemi maksimalisht të kujdesshëm. Do t’i japim kohë procedurave, por kohë nuk do të humbim. Jemi të përkushtuar të realizojmë projektin me të gjitha elementet përbërëse, pjesën e varrezave, konservimin e kullave të rezistencës dhe bunkerit, objektin e informacionit, amfiteatrin veror bashkë me objektet përcjellëse të tij, muzeun, shtatoren e Adem Jasharit, obeliskun, objektin për gardën ceremoniale të FSK-së, vendparkingun, parkun e kompleksit memorial Adem Jashari në Prekaz, zhvendosjen e disa shtëpive të lagjes Jashari, përfshi edhe shtëpitë e familjes Jashari dhe objekte të tjera të nevojshme”, tha ai.

Ai tha se përgjegjësia e tyre është shumë e lartë karshi këtij projekti, por që u shpreh i bindur se me vullnetin që e kanë do t’ia dalin.

Pas përfundimit të takimit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tregoi se çfarë vendimesh kanë marrë në këtë mbledhje të parë.

Ai tha se fillimisht është prezantuar një raport për gjendjen preliminare të ndërtesave ekzistuese në kompleksin memorial të hartuar nga ekspertët e MKRS-së dhe se është vendosur që ekipit të profesionistëve t’i bashkohen edhe inxhinierët e ndërtimtarisë për t’u siguruar që ndërtesat nuk rrezikojnë të shemben ose të dëmtohen edhe më tutje.

“Në mbledhjen e radhës do ta kemi raportin përfundimtar mbi gjendjen fizike të ndërtesave të këtij kompleksi dhe mbas rekomandimit të profesionistëve do të marrim një vendim përfundimtar nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje emergjente sanuese në këto ndërtesa. Pika e dytë, ishte krijimi i komisionit të ekspertëve i cili parashihet me ligjin për kompleksin memorial Adem Jashari, u dakorduam që ky komision t’i ketë 7 anëtarë, pra shumë ekspertë të ndryshëm, arkitektë, historianë, muzeolog dhe të tjerë. Ndërsa, në mbledhjen e radhës të komitetit do të vijnë emrat konkret të ekspertëve vendor e ndërkombëtarë që do të propozohen dhe votohen nga komiteti për ta marrë detyrën e këtij komisioni, detyra kryesore e komisionit është që ta asistoi komitetin në procesin e projektit, masterplanit për kompleksin memorial Adem Jashari”, tha ai.

Ai tha se Komiteti e ka marrë me shume seriozitet trajtimin e kësaj çështje dhe të gjitha detyrimet ligjore që dalin do t’i zbatojnë deri në fund. Ai tha se janë të përkushtuar që projektin ta bëjnë sa më të prezantueshëm ndërkombëtarisht në mënyrë që përmes kësaj vepre të tregojnë në mënyrën më të dinjitetshme historinë e vonshme të Kosovës.

Lexo edhe

Video

error: