Kurti: Vuçiq nuk distancohet nga Millosheviqi e as nga Putini

Kurti: Vuçiq nuk distancohet nga Millosheviqi e as nga Putini

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk distancohet nga Millosheviqi e as nga Putini.

Pas darkës jozyrtare të shtruar në Berlin, ku i pranishëm ishte edhe i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kreu i ekzekutivit kosovar bëri të ditur po ashtu se takimi i radhës nuk do të jetë në nivel të liderëve, por në nivel të kryenegociatorëve.

Në një deklaratë për RTK-në, kreu i ekzekutivit theksoi se qëndrimet e Vuçiqit janë të vjetra.

“Në pallatin Borsig në periferi të Berlinit ishte takimi i tretë me lehtësimin  apo ndërmjetësimin e  Lajçak, takim  që ishte në përgatitje për takimin javës së ardhme kur me 13 maj, kryenegociatorët tanë takohen në Bruksel. Qëndrimet e presidentit të fqinjit tonë verior janë të vjetra dhe insistimi im është natyrisht për një marrëveshje që natyrisht është e obligueshme, normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Mirëpo në këtë aspekt, nuk mund të them se ka përparim. Pra, nuk ka distancim nga Millosheviqi, nuk ka distancim nga Putini, dhe përveç që ka qëndrime të vjetra, ka edhe sjellje të çrregullta do të thosha”, ka thënë ai.


Kurti ka thënë se tashmë edhe faktorët ndërkombëtarë e kanë të qartë se është Serbia ajo e cila duhet të ndryshojë, në mënyrë qe të ketë zgjidhje e marrëveshje.

“Po e ritheksoj se  qëndrimet janë të vjetra dhe kjo është arsyeja se pse nuk mund të kemi një marrëveshja të re çfarë i nevojitet jo vetëm raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe Ballkanit në përgjithësi e do te thosha edhe Bashkimit Evropian”, tha kreu i ekzekutivit.

Deklarata e Kurtit vjen pasi ai gjatë ditës takoi kancelarin gjerman, Olaf Scholz me të cilin mbajti edhe një konferencë për media.

Në këtë konferencë edhe njëherë u rikonfirmuan marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës e Gjermanisë.

Gjatë ditës, Kurti pati takime dhe me ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Lexo edhe

Video