Kurti voton në zgjedhjet e LVV-së: Është ditë e demokracisë

Partia më e madhe në Kosovë sot po mban zgjedhjet e saj të brendshme. Nga ora 10:00 janë hapur qendrat e vendvotimeve në Lëvizjen Vetëvendosje dhe 46 qendra votimi në Kosovë, në të cilat anëtarët e kësaj partie do të mund të votojnë për kryetarin e partisë, kryetaren e gruas dhe struktura tjera.

Kryetari aktual i cili është edhe kryeministër, Albin Kurti, garon edhe për një mandat katërvjeçar dhe nuk ka kundër kandidat.

Kurti gjatë një deklarate për media, tha se sot është ditë e demokracisë ku secili anëtarë i këtij subjekti do të dëgjohet.

“Sot është ditë e demokracisë në LVV-në, për shkak se kemi zgjedhjet e brendshme dhe secili anëtarë i subjektit tonë politikë mund dhe duhet të dëgjohet. Në 46 qendra apo degë të lëvizjes sonë mbahen zgjedhjet për kryetarë të lëvizjes, kryetare të strukturës së re “gratë për VV”, për kryetarët e strukturës të re, rinia për VV, por gjithashtu edhe për nivelet e qendrave apo të degëve në 26 sosh, mbahen zgjedhjet për kryetar të qendrave”, tha ai.


Kryeministri i vendit tha se niveli i qendrave po ashtu do të ketë struktura të reja të grave dhe të rinisë, derisa ka shtuar se në kuadër të drejtimit progresist, do ta bëjnë një organizatë edhe më të fuqishme.

“Niveli i qendrave po ashtu do të ketë struktura të reja të grave dhe të rinisë. Lëvizja jonë e gjerë ka nevojë për më shumë strukturim, andaj edhe i kemi këto strukturat e reja, dhe si lëvizje e gjerë duke pasur këso struktura të reja, synojmë që në kuadër të drejtimit tonë progresist ta bëjmë një organizatë edhe më të fuqishme”, ka shtuar Kurti.

Ndërkohë Kurti ka ftuar të gjithë anëtarët e VV-së ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur udhëheqje të mira në strukturat ekzistuese dhe ato të rejat në 4 vitet e ardhshme.

Përndryshe, kandidate për GVV është Albulena Haxhiu, kandidat për RVV: Behar Jashari. Ndërsa për zgjedhjet në nivel qendre, kandidat për kryetar qendre është Arben Vitia, kandidate për GVV: Leonora Shabani- Bajraktari dhe Rahime Kasumi-Behrami, kandidatë për RVV, Çlirim Sadiku dhe Ermal Duli.

Lexo edhe

Video