Kryeministri Albin Kurti ka vizituar sot kompanitë pjesëmarrëse nga Kosova në panairin ndërkombëtar Sial 2024 në Paris që sivjet shënon përvjetorin e 60-të jubilar.
Kurti me këtë rast theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive për prodhuesit nga Kosova dhe mbështetjen e tyre përballë sfidave dhe rritjen e kapaciteteve eksportuese.
Në panair po marrin pjesë 7500 ekspozues nga 125 shtete, mes të cilave edhe tetë kompani prodhuese nga Kosova, të cilat prezantojnë produktet nga industria e përpunimit të produkteve bujqësore, industria e pemëve dhe perimeve, produkte konditorike, fruta të imta e të ngrira industriale, pije energjike dhe lëngje frutash.
Prania e Kosovës në këtë panair, i cili këtë vit pritet të mbledhë mbi 256 mijë vizitorë, ofron një mundësi të mirë për afirmimin e produkteve të saj në tregjet ndërkombëtare, rritjen e eksportit dhe përmirësimin e imazhit si një vend me potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe inovacion.