Kurti vizitoi shoqatën “Vatra” në 110-vjetorin e themelimit

Kurti vizitoi shoqatën “Vatra” në 110-vjetorin e themelimit

Në 110-vjetorin e themelimit të Pan Federatës Shqiptare “Vatra”, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka takuar në Nju Jork anëtarësinë e shoqatës më të vjetër shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  

Tani e 110 vjet Vatra juaj, Vatra jonë, e paraprirë nga ‘Dielli’ e ‘Kombi’ i dhanë shqiptarëve këtu e veçanërisht në trevat e tyre vrullin dhe organizimin për liri, deri në pavarësi, ka thënë kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij.

Veçanërisht në 10–15 vjetët e parë të krijimit të shtetit shqiptar, “Vatra”, sipas kryeministrit, e shpëtoi, e ndërtoi dhe e anëtarësoi shtetin e ri të kërcënuar ngado, mes kombeve si të barabartë dhe ia siguroi mbështetjen më të lartë ndonjëherë deri në atë kohë, për të drejtën për vetëvendosje popullit shqiptar.

“‘Vatra’ e miqësoi përjetësisht shqiptarinë me Amerikën dhe e vendosi në nivelin më të lartë cilësinë e kësaj marrëdhënie falë dijes, patriotizmit ekselent, ndershmërisë dhe këmbënguljes së pathyeshme përballë drejtuesve politikë e përfaqësuesve diplomatikë”, ka thënë Kurti.


Teksa ka thënë se në arkivin e kësaj shoqate dallohet më së miri se ç’do të thotë organizimi dhe ndihma për ta forcuar Shqipërinë në skenën ndërkombëtare, kryeministri Kurti ka kërkuar nga drejtuesit e “Vatrës” organizim e bashkërendim të këtillë edhe për forcimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.

Ai e ka vlerësuar rolin e organizatave shqiptare si të pazëvendësueshëm, për të ruajtur dhe fuqizuar identitetin shqiptar në kushtet e sotme të globalizimit dhe të lëvizjes së madhe të njerëzve.

Gjithashtu, Kurti ka thënë se organizatat e diasporës shqiptare duhet të vijojnë lobimin pranë shteteve demokratike për respektimin e të drejtave të shqiptarëve kudo.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti ia ka uruar “Vatrës” 110-vjetorin e themelimit, duke i dëshiruar jetë të gjatë sa të jetë kombi ynë, thuhet në komunikatë. 

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.