Kurti uron 28 nëntorin: Ushtria jonë po konsolidohet në aspektin profesional e operacional

Kurti uron 28 nëntorin: Ushtria jonë po konsolidohet në aspektin profesional e operacional

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se 28 nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit dhe ka shtuar se shqiptarët duhet të rrugëtojnë së bashku.

Derisa ka uruar 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Kurti ka thënë se sot kanë përkujtuar sakrificën dhe kanë nderuar lavdinë e atyre që besuan sepse ëndërruan.

“Sot, në Vlorë, në 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kujtuam historinë, përkujtuam sakrificën dhe nderuam lavdinë e atyre që besuan sepse ëndërruan, punuan sepse besuan. Çdo vit, 28 Nëntori na bën bashkë. 28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë. E ne duhet të jemi më shpesh bashkë. Të punojmë bashkë. Të rrugëtojmë bashkë. Sepse duam. Sepse duhet”, ka shkruar Kurti.


Nëntorin e ai e ka quajtur të flamurit dhe të forcës. Shefi i ekzekutivit ka thënë se ushtria e Kosovës po konsolidohet në aspektin profesional e profesional.

“Ndërkaq dje, ndërkohë që në Tiranë po mbanim mbledhjen e parë të përbashkët të Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, në Prishtinë, shënuam Ditën e Forcës. Për Qeverinë, ky ishte viti i ushtrisë. Me një ndarje buxhetore prej 123 milionë euro, që tejkalon çdo vit paraprak; e me 99% më tepër investime në blerje ushtarake përgjatë këtij viti, ushtria jonë po konsolidohet në aspektin profesional e operacional. Përkrahë aleatëve tanë po kontribuojmë në mbrojtjen e vlerave universale të lirisë, paqes dhe demokracisë. Forca e Sigurisë së Kosovës është forca e pashtershme e brezave të tërë të popullit tonë luftëtarë, të vendosur e të pathyeshëm”, ka shtuar ai.

Kryeministri i Kosovës ka qëndruar në Vlorë në ceremoninë e shënimit të 110- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Shqiptarët sot shënojnë Ditën e Flamurit, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe kujtojnë daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lexo edhe

Video