Kurti takon sot Abdixhikun dhe Haradinajn

Kurti takon sot Abdixhikun dhe Haradinajn

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të takojë liderët e opozitës, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, për të biseduar për takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndërsa, PDK-ja e ka refuzuar ftesën.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një përgjigje dërguar Kurtit ka thënë se nuk konsideron se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për përgjegjësitë e kreut të ekzekutivit në dialog.

“Nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjegjësi tuajat. Megjithatë, unë mbetem i hapur dhe i gatshëm që të takohem me ju në momentin kur të ketë avancim të procesit të dialogut dhe diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë,”, ka shkruar Krasniqi.


Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se pranon ftesën për shkak se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore.

“Ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por meqë besoj se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, do ta pranoj këtë ftesë”, shkroi ai në Facebook.

Ftesën e ka pranuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Për mua dhe Aleancën, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit. Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interesit nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Lexo edhe

Video