Kurti takon Scholz, kërkon mbështetje nga Gjermania për largimin e masave të BE-së
Lajme
Lexohet për: 3 min.
kurti ger
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Pas sesioneve dhe punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, që në 10-vjetorin e tij u mbajt pikërisht në kryeqytetin e Gjermanisë, në objektin e Kancelarisë gjermane, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit për një takim bilateral nga Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.

Kryeministri Kurti e falënderoi kancelarin Scholz për mikpritjen e sotme, dhe e përgëzoi për samitin e suksesshëm të cilit i paraprinë gjashtë ministeriale dhe zhbllokimi në CEFTA, ku tani Kosova përfaqësohet nga institucionet e saj në vend të UNMIK-ut.

“Së bashku diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat Gjermania mund ta mbështes Kosovën. Nga ai dhe Gjermania kryeministri Kurti kërkoi që të mbështesë largimin e masave të BE-së, gjë që tashmë është kërkuar edhe nga vetë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell. Kryeministri gjithashtu kërkoi nga kancelari Scholz mbështetjen në adresimin e çështjes së hapësirës ajrore të Serbisë e cila mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt dhe nga Kosova tash e 25 vjet, duke shkaktuar kështu si dëme financiare kompanive të fluturimeve ashtu edhe ndotje të mjedisit për shkak të zgjatjes së fluturimeve për dhe nga Kosova”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e tij dhe të Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal dhe mbështetjen e plotë për Procesin e Berlinit dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të tij, përfshirë këto që u nënshkruan dhe u dakorduan sot, përkatësisht Marrëveshjen për Qasje në Arsim të Lartë dhe Pranim për të Studiuar në Ballkanin Perëndimor dhe Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025-2028.

Sa i përket raporteve me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli, kryeministri tha se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike, dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiqit por edhe i grupit të tij për të cilin tashmë ka aktakuzë nga prokuroria e shtetit, dhe tërheqja e letrës së Serbisë në të cilën shpreh rezervat për Marrëveshjen Bazike janë themelore dhe dëshmi e vullnetit të mirë e mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të Marrëveshjes dhe Aneksit të zbatimit.

Ai e falënderoi kancelarin për bashkëpunimin e afërt dhe përkrahjen e vazhdueshme të tij dhe Gjermanisë ndaj Kosovës dhe popullit të saj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024