Kurti takoi kongresistin Bill Keating

Kurti takoi kongresistin Bill Keating

Kryeministri Albin Kurti ka takuar kongresistin Bill Keating, i cili është anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin amerikan dhe i Komitetit për Shërbimin e Armatosur, të cilin e ka falënderuar për kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në të gjitha periudhat e shtet-ndërtimit.    

Duke folur për të arriturat njëvjeçare të Qeverisë, kryeministri Kurti ka theksuar reformat në fushën e sundimit të ligjit, angazhimin e pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, që kanë ndikuar në ngritjen për 17 vende të pozitës së Kosovës në indeksin global të Transparency International, rritjen dyshifrore ekonomike, rritjen e të hyrave doganore dhe të investimeve të huaja direkte.

Ndër prioritetet e Qeverisë, kryeministri ka theksuar rritjen e përkrahjes dhe të buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.


Përkrahja e Forcës së Sigurisë, sipas kryeministrit, është e domosdoshme në mënyrë që vendi ynë të ketë ushtri të mirëtrajnuar e të pajisur sipas standardeve të ushtrive moderne të vendeve të NATO-s, të jetë e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe kontribut-dhënëse për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global.

“Vitin e kaluar kishim 330 ushtarë të ushtrisë sonë që morën pjesë në Defender Europe 21, që ishte ndërmarrja më e madhe ushtarake e NATO-s në Evropë, ndërsa FSK-ja u bë pjesë e misionit paqeruajtës të ushtrisë amerikane në Kuvajt”, tha kryeministri Kurti.  

Ai e vlerësoi kontributin e madh të SHBA-së për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit me ShBA-në, si miku dhe aleati më i madh i shtetit dhe popullit të Kosovës.

Lexo edhe

Video