Kurti takohet me ministrin për Evropë të Francës, Benjamin Haddad, flasin për bashkëpunim ekonomik
Lajme
Lexohet për: 1 min.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, para nisjes së Forumit Ekonomik të Kosovës në Paris bashkëbisedoi me ministrin për Evropë të Francës, Benjamin Haddad.
Gjersa u riafirmuan marrëdhëniet e fuqishme mes Kosovës dhe Francës, kryeministri Kurti dhe ministri Haddad diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit veçanërisht në sferën ekonomike, në kuadër edhe të forumit të sotëm, si një mundësi e mirë për më shumë shkëmbime, bashkëpunime e investime mes kompanive të dy vendeve.
“U trajtua edhe rrugëtimi i procesit të integrimit evropian të Kosovës. Në fokus ishin dhe çështjet rajonale me theks në bashkëpunimin rajonal. Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Haddad për mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe bashkëbisedimin e takimin e sotëm. Prezent në takim ishte dhe i dërguari special i Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Trocaz”, thuhet në komunikatë.