Kurti: Sulmi terrorist në Ibër-Lepenc shënjestroi popullsinë civile
Lajme
Lexohet për: 3 min.
kURTI-131224
14 orë më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq, ka deklaruar se sulmi i fundit terrorist në kanalin Ibër- Lepecit është bërë nga profesionistë terroristë dhe është i ri për nga natyra, pasi tash është shënjestruar popullsia civile.

Kreu qeveritar tha se ka persona që po mbahen në burg e që po hetohen, derisa ka treguar se është konfiskuar shumë armatim e municion, por edhe uniforma e emblema prej të cilave edhe të njësive të ndryshme ruse.

“Ky sulm i fundit që është bërë nga profesionistë terroristë në kanalin Ibër-Lepecit është i ri për nga natyra, në kuptimin që tash është shënjestruar popullsia civile. Më herët kemi pasur sulme ndaj Policisë së Kosovës, ndaj ndërtesave zyrtare komunale, por kësaj radhe në shënjestër është popullsia civile sepse furnizimi me ujë dhe prodhimi i energjisë, që është jetik edhe për qytetarët edhe për bizneset, ka qenë shënjestër. Janë arrestuar disa persona. Ka që po mbahen në burg edhe tash që po flasim. Hetimet po zhvillohen, kemi konfiskuar shumë armatim e municion, por edhe uniforma e emblema, 20 prej të cilave të njësive të ndryshme ruse. Duhet të presim cili do të jetë përfundimi i këtyre hetimeve, por ne konsiderojmë që gjithçka tregon që këtë nuk e kanë bërë qytetarë të zakonshëm dhe se na bëjnë të besojmë që një sulm i tillë vjen i mbështetur, i orkestruar nga Serbia siç ishte sulmi në Banjskë apo atë me sulmin mbi KFOR-in, apo edhe rrëmbimi i tre policëve tanë në Leposaviq", ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se kufiri mes Kosovës e Serbisë është më i gjatë se ai me tri vendet tjera që rrethohet vendi ynë dhe se ka vështirësi në kontrollimin e tij të përpiktë.

Sipas kryeministrit, nervoza në Beograd po përkthehet në agresivitet ndaj Kosovës, meqë kur nuk e kontrollojnë më Kosovën atëherë mbështetin sulme të tilla terroriste.

Kreu qeveritar ka thënë se me Serbinë duan normalizim të marrëdhënieve, njohje reciproke.

Kurti shtoi Serbia nuk është shtet demokratik.

Edhe kryeministri kroat Plenkoviq ka përmendur sulmet nga grupe serbe në veri të Kosovës që nga viti i kaluar. Ai ka thënë se nuk mund të pritet rezultat i shpejtë por se rëndësi ka që procesi të jetë paqësor dhe të ketë më shumë bisedime mes të dyja palëve.

“Besojmë te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që të rezultojë me normalizim dhe të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe funksionimin që çon te pozita që Kosova të ndërmarr rrugëtimin drejt BE-së. Janë pesë shtete të BE që nuk e kanë njohur Kosovën dhe ky proces mund të mos jetë i shpejtë”, ka thënë Plenkoviq.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024