Kurti s’ka informacion për ndërhyrjen e KFOR-it në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se s’ka asnjë informacion për ndërhyrjen e KFOR-it në veri për zhbllokimin e rrugëve, pas vendosjes së reciprocitetit të targave ndaj automjeteve serbe.

Kreu qeveritar në konferencën e përbashkët për medie me homologun e tij nga Shqipëria, Edi Rama u tregua i gatshëm për të biseduar me palën serbe në Bruksel për këtë çështje.


“Ne diskutuam me gjeneralin Federici me komandantin e KFOR-it për situatën e sigurisë meqenëse ne i kemi policët tanë atje dhe ata e bëjnë vlerësimin e situatës. Vendimet që i marrin nuk janë të pastra politike, por profesionale të sigurisë, ne nuk marrim vendim pa marrë vlerësimet nga Policia e Kosovës. Ne shkëmbejmë informacione me KFOR-in sepse jemi më të pranishëm se vet KFOR. Unë nuk kam një informacion të tillë për përgatitje të ndërhyrjes së KFOR-it. Kam biseduar me sekretarin e NATO-s dhe BE, ne jemi të hapur për bisedime, qysh kur i kanë kërkuar bisedimet ne kemi qenë të gatshëm të udhëtojmë në Bruksel, ato janë refuzuar nga Beogradi. Në çdo moment që organizohet takimi ne do të shkojmë në Bruksel”,  tha ai.

Kryeministri Kurti tha se vendimi për reciprocitet nuk është kundër serbëve të Kosovës, por vetëm çështje ligjore.

“Për neve është çështje e sundimit të ligjit, është çështje e zbatimit të vendimit qeveritar është çështje e paqes, sigurisë dhe stabilitetit që nuk e diskriminon asnjë njeri. Nuk është kundër serbëve të Kosovës, nuk ka serb të Kosovës që i janë ankuar qeverisë për Njësinë Speciale. Ata që kanë bllokuar rrugët kanë bllokuar vetën dhe qytetarët serb”, tha ai.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: