Kurti shpreson për një zgjidhje sot në Bruksel, akuzon Vuçiqin se po përdorë gjuhë të shekullit të kaluar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia ka refuzuar propozimin e KFOR-it për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Duke shpresuar që të gjenden një zgjidhje në takimin e sotëm në Bruksel ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij serb, kreu qeveritar ka akuzuar Serbinë se po merr fonde nga BE-ja dhe po militarizohet nga Rusia dhe Kina, derisa theksoi se president serb, Vuçiq po përdorë gjuhë të viteve 90-ta dhe shekullit të kaluar.

Pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë të përbashkët, Kurti tha se Kosova ka treguar gatishmëri për deeskalimin e situatës në veri, por ka munguar vullneti nga pala serbe.

“Unë uroj dhe shpresoj që të gjendet zgjidhja aty. Gatishmërinë tonë e kemi treguar edhe të hënën në mëngjes kur erdhi tek unë komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, gjeneral majori Franko Federici, i cili dha një propozim që ishte racional. Nënkuptonte heqjen e barrikadave për liri të lëvizjes dhe zëvendësimin e Njësive Speciale deri në një qetësim të situatës nga pjesëtarët e NATO-s, apo KFOR-it. Policia kufitare do të ngelej në Bërnjak dhe Jarinje dhe reciprociteti do të vazhdonte. Në parim ne e kemi pranuar këtë[…]mirëpo Serbia e ka refuzuar këtë. Pra në javën e kaluar Serbia e ka refuzuar dialogun në Bruksel, ndërsa në këtë javë e ka refuzuar marrëveshjen e propozuar nga KFORI nga ndërmjetësit ndërkombëtar. Ne i kemi pranuar që të dyja”, tha ai.

Teksa akuzoi Serbinë për manovrat ushtarake që i ka bërë në brezin kufitar me Kosovën.

“Ne nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri në këtë drejtim, përveç që po e zbatojmë një dakordësi të vjetër. Fatkeqësisht Serbia reagoi me forcë duke grumbulluar trupa tek vija kuftiare, duke përfshirë edhe tanket t72, automjetet e blinduara lazar 3 dhe automjetet ushtarake m16. Përveç këtyre ka angazhuar aeroplan ushtarak, Mig 29 dhe helikopter të prodhuar nga Rusia. Unë kam kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok dhe Jarinje pasi janë sulmuar institucionet e Kosovës. Ky sulm erdhi pas deklaratave luftënxitëse dhe plotë urrejtje të presidentit të Serbisë dhe demonstrimeve ushtarake në kufi me Kosovën. Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë, në njërën anë merren ndihma dhe donacione nga BE-ja dhe në anën tjetër, Serbia përkundër që i merr fondet pa zbatuar vlera, do të duhej të demokratizohet dhe jo militarizohet nga Rusia dhe Kina”, shtoi Kurti.


Sipas kryeministrit Kurti, serbët në Kosovë janë treguar bashkëpunues ndaj masave qeveritare, por ka vetëm një individ në Serbi që po flet me gjuhë të shekullit të kaluar.

“Serbët në Kosovë janë mjaft bashkëpunues ndaj masave tona, mirëpo ka një individ në Serbi, i cili është edhe president i shtetit atje që flet me gjuhën e viteve të 90-ta, të shekullit të kaluar. Mendoj se këtu është problemi, nuk mundeni ju që me tanke të vini në kufi dhe  të ngitni në ajër qendrën për regjistrim të veturave në Zubin Potok dhe pastaj të sillni ambasadorin rus në kufi”, theksoi ai.

Në prani tëpresidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kreu qeveritar tregoi edhe përgatitjet  e përbashkëta për planin investivë prej mbi 100 projektesh në gjashtë vitet e ardhshme.

“Fokusi kryesor ka qenë për projektet të cilat i kemi përgatitje për planin e investimeve ekonomike. E njoftova zonjën presidente se në kuadër  të këtij plani investivë për gjashtë vitet e ardhshme ne tashmë kemi identifikuar mbi 100 projekte që shtrihen në 13 sektor të ndryshëm dhe mbërrijnë një buxhet prej 2.7 miliardë euro. Besojmë se këto investime do të ndihmojmë të krijojmë një bazë të fuqishme për zhvillim”, deklaroi Kurti.

Para konferencën për medie, Kurti dhe von der Leyen vizituan çerdhen “Cicërimat” në Prishtinë, projekt ky i mbështetur nga BE-ja.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.