Kurti: Sfida kryesore shëndetësore është ta gjejmë një mënyrë për të luftuar sëmundjet kronike

Në konferencën e  tretë rajonale për promovim dhe edukim shëndetësor me temën “Mjediset e shëndetshme” u theksua se përmes promovimit dhe edukimit të shëndetshëm sigurohet mbrojtja shëndetësore e qytetarëve.

Krahas shumë profesionistëve shëndetësor e akterëve relevant në fushën e shëndetësisë, i pranishëm në këtë konferencë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili u shpreh se  Kosova  ka treguar sukses në ballafaqimin me pandeminë COVID-19 fal promovimit dhe edukimit shëndetësor.

Kurti tha se një prej sfidave kryesore të institucioneve shëndetësore në fushën e promovimit dhe edukimit, është të gjendet një mënyrë për luftimin e sëmundjeve të tjera kronike dhe jo ngjitëse.

“Suksesi i Kosovës në këtë drejtim na jep një mundësi ideale për të reflektuar mbi rëndësinë e promovimit dhe edukimit shëndetësor. Sepse një pjesë e madhe e këtij suksesi ka qenë pikërisht për shkak të efikasitetit tonë në promovim dhe edukim…Aktualisht një prej sfidave kryesore të institucioneve shëndetësore në fushën e promovimit dhe edukimit është të gjejmë një mënyrë se si ta përsërisim suksesin tonë gjatë pandemisë në luftimin e sëmundjeve tjera. COVID-19 është një sëmundje akute dhe ngjitëse, këto  dy karakteristika të saj mbollën një lloj frike tek qytetarët, gjë që e ka bërë më të lehtë që t’i bindim ata për të pranuar masat e domosdoshme. Mirëpo, në rastin e sëmundjeve kronike dhe jo ngjitëse si për shembull kanceri, diabeti dhe sëmundjet e zemrës puna jonë është dukshëm më e vështirë por sigurisht jo më pak jetike. Sfida kryesore në këtë drejtim është se si të edukojmë qytetarët që të bëjnë ndryshimet e duhura në jetën e tyre të përditshme sot, për të mos pasur nevojë për shërbime të  vështira dhe të shtrenjta nesër, për të parandaluar sëmundje të rënda kronike  që mund të zhvillohet 10-20 vjet më vonë“, u shpreh Kurti.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, Naser Ramadani u shpreh se promovimi dhe edukimi shëndetësor ka ndihmuar institucionet dhe profesionistët për ballafaqim me sfidat shëndetësore.

Ai theksoi se fal promovimit dhe edukimit shëndetësor në Kosovë është rritur vdekshmëria e foshnjave por është rritur edhe jetëgjatësia e popullatës.


“Kosova ka arritur të zvogëloj vdekshmërinë e foshnjave, sëmundjet, vaksinë preventabile, të rrit jetëgjatësinë e popullatës dhe ka përmirësuar dukshëm indikatorët tjerë duke u fokusuar në qëllimin që të kemi popullatë më të shëndetshme. Shumë programe preventive mundësuan të fuqizojnë individin dhe bashkësinë të marrin vendime të drejta të bazuara në evidenca dhe të zgjedhin sjellje të shëndetshme të cilat zvogëlojnë mundësitë e lajmërimit të sëmundjeve nën paradigmën shëndeti për të gjithë  dhe shëndet në të gjitha politikat. Promovimi dhe edukimi shëndetësor tashmë zbatohet nga të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor të Kosovës, nga profesionistët shëndetësor për ndryshimin e sjelljeve me qëllim të krijimit të qëndrimeve pozitive për një mënyrë të shëndetshme të jetesës. Qëllimi dhe vizioni ynë është të krijojmë mjedise të shëndetshme dhe të përshtatshme që dërgojnë në ruajtjen dhe përparimin e shëndetit dhe ndikojnë në shfrytëzimin racional të shërbimeve shëndetësore e që rezultojnë në mirëqenien e qytetarëve”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi theksoi se misioni kryesor aktual është transformimi i shëndetësisë kosovare në shëndetësi moderne.

Latifi tha se tashmë do të nisin një fushatë të re për zbatimin e ligjit kundër pirjes së duhanit, derisa u shpreh se edhe industria e ushqimit kërkon kontroll.

“Kjo është me rëndësi të madhe për ne tash kur në vendin tonë qëllimi dhe misioni qendror është transformimi i shëndetësisë në shëndetësi moderne, transformimi i spitaleve në spitale moderne, por në të njëjtën kohë secili prej nesh duhet të punojmë në mënyrë të disiplinuar të zvogëlojmë numrin e atyre që kanë nevojë për shërbimet tona, si mjek, për spitale por edhe për shërbimet tjera farmaceutike, secili prej nesh në shëndetësi duhet me u mundu . Këtë mund ta bëjmë vetëm nëse shëndetësinë e kemi të bazuar në shkencë nëse bëhemi të ditur për trupin dhe organizimin tonë, për atë që hamë dhe pimë nëse merremi me aktivitete për ruajtjen e  shëndetit fizik dhe mendor dhe emocional”, u shpreh Latifi.

Drejtori i Institutit të Shëndetit publik në Shkup, Shaban Memeti u shpreh se konferenca e tillë u jep mundësi t’i shohin të arriturat por edhe të shkëmbejnë përvojat që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve.

“Promovimi i shëndetit dhe parandalimi i sëmundjeve janë aktivitete kyçe në mbrojtjen shëndetësore të qytetarëve me një qëllim të vetëm për të siguruar një  mënyrë jetese të shëndetshme dhe vazhdimin e një jetese cilësore dhe aktive. Si një proces i vazhdueshëm i komuniteteve dhe individëve për të vazhduar kontrollën mbi rreziqet e mundshme ndaj shëndetit në këtë mënyrë për të përmirësuar atë promovim shëndetësor që janë baza mbi të cilët punojmë dhe duhet të vazhdojmë të punojmë të gjithë strukturat dhe organizatat”, u shpreh Memeti.

Konferenca e tretë rajonale për promovim dhe edukim shëndetësor me temën “Mjediset e shëndetshme” punimet e saj do t’i vazhdoj edhe gjatë ditës së nesërme. /B.Ibishi/

Lexo edhe

Video