Kurti: Sasia e informacioneve për vrasjen në Deçan është duke u shtuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sasia e informacioneve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar.

Ai pasi ka bërë homazhe tek busti i senatorit Bob Dole, tha se hetuesitë më të mira janë të përfshirë në këtë rast, derisa nuk është përgjigjur nëse e konsideron të nevojshëm që ky rast të bartet në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Sasia e informacionit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar, meqenëse hetuesit më të mirë tanë janë të përfshirë atje. Mirëpo kur të kenë diçka konkrete sa i përket të pandehurit ose të pandehurve që e kryen këtë vrasje të trefishtë mizore, ne natyrisht që do të ju njoftojmë juve”, tha ai.


Kryeministri Kurti është pyetur edhe rreth thirrjes së përsëritur të shteteve të QUINT-it që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese sa i përket pronave të Manastirit të Deçanit dhe se a është diskutuar kjo çështje në takimin e para katër ditëve që ka pasur me ambasadorët e këtyre shteteve.

Kurti tha se sa i përket çështjes së Manastirit të Deçanit qëndrimi i tij tashmë është i ditur, derisa nuk tregoi nëse kjo është diskutuar në takimin me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

“Qëndrimi jonë për çështjen e Manastirit të Deçanit është tashmë i njohur, ne e kemi bërë publike atë edhe më herët. Mirëpo, kisha kërkuar mirëkuptimin tuaj për shkak se sot jemi këtu për nderime për senatorin Bob Dole… Më duket që ju përgjigja”, tha ai.

Në sulmin makabër që ndodhi më 26 nëntor ndaj një autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan mbetën të vrarë dy nxënës dhe shoferi i autobusit. Ndërkohqë që ende nuk ka të arrestuar.

Lexo edhe

Video

error: