Kurti: Rritja e rasteve është e pashmangshme, qëllimi i masave është ngadalësimi i rritjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arsyetuar vendimin lidhur me masat anti-covid për çka ka thënë se qeveria e drejtuar nga ai nuk merr vendime ‘shkel e shko” për përfitime politike por sipas tij është qeveri që merr vendime të duhura në kohën e duhur.

Kurti ka thënë se masat e fundit të marra nga qeveria nuk janë ekstreme.

“Të nderuar deputetë masat anticovid që kemi marrë në Kosovë më 21 janar 2022 nuk kanë rënë nga qielli përkundrazi ato kanë qenë rezultati i një procesi të kujdesshëm ndërinstitucional duke filluar me rekomandimet e profesionistëve shëndetësor në komisionin këshillëdhënës për masat anticovid duke u pasur nga shqyrtimi i këtyre masave, nga përfaqësues të institucioneve kyçe për menaxhimin e pandemisë në komitetin për koordinim dhe vlerësim lidhur me Covid-19. Ne jemi një qeveri që nuk merr vendime ad-hoc ‘shkel e shko’ apo për përfitime politike, jemi një qeveri e cila është e gatshme për të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur edhe vendime të vështira por për të mirën e qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë rritja e rasteve është e pashmangshme pavarësisht masave por qëllimi është të arrihet ngadalësimi i rasteve të reja.

“Për shkak të natyrës jashtëzakonisht ngjitëse të variantit Omicron rritja eksponenciale e rasteve të paktën për një kohë do të jetë e pashmangshme çfarëdo kufizime që të vendosen. Si qëllim kryesor i masave të miratuara që së paku ta ngadalësojmë me aq sa kemi mundësi rritjen enorme të rasteve të reja, sepse nuk e ndalim dot, por ajo çka mund të bëjmë është ta ngadalësojmë”, ka thënë kryeministri.


Në seancën ku po diskutohet për situatën me pandeminë, kryeministri ka thënë se kufizimet janë vendosur vetëm në sektorët me rrezik të shtuar.

“Kemi zgjedhur një rrugë më të balancuar duke vendosur kufizime vetëm në ata sektorë që janë me rrezik të shtuar. Le të mos harrojmë që masat e marra edhe pse mund të shkaktojnë vështirësi në jetën e përditshme janë megjithatë të përkohshme, për fat të mirë përvoja e vendeve të tjera tregon se vala e variantit Omikron kalon relativisht shpejtë në krahasim me valët e mëhershëm të covid-19. Unë ju garantoj juve dhe gjithë qytetarëve që porsa të bëhet e qartë se masat e vendosura nuk janë më të nevojshme për të parandaluar mbi ngarkesën e sistemit shëndetësor ne do të fillojmë menjëherë që t’i lehtësojmë ato”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se doza përforcuese e vaksinës është e vetmja mënyrë efikase për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron.

“Megjithatë kohëzgjatja e këtyre masave nuk varet vetëm nga qeveria, kohëzgjatja e masave varet nga gjithë qytetarët e Republikës, edhe pse dy dozat të vaksinës vazhdojnë të ofrojnë mbrojtje të fortë kundër formave të rënda të sëmundjes, e vetmja mënyrë efikase për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron është marrja sa me gjerë të dozave përforcuese mes popullatës sonë. Duke e marrë këtë dozë sa më masivisht qytetarët mund të sigurojnë që kjo valë të përfundojë sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe po ashtu që kufizimet të largohen sa më parë”, ka thënë Kurti.

Megjithatë, Kurti ka thënë se vala e Omicron i ka gjeturi institucionet shëndetësore në Kosovë në gjendje gatishmërie.

Kurti ka thënë se në Kosovë një numër i madh i qytetarëve janë vaksinuar më dy doza ndërsa po vazhdon mirë vaksinimi me dozën përforcuese duke theksuar që sot shënohen 800  mijë qytetarë të vaksinuar me dy doza.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.