Kurti: Prokuroria të trajtojë me prioritet masakrën e Dubravës

Kurti: Prokuroria të trajtojë me prioritet masakrën e Dubravës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar burgun e Dubravës, ku ka kujtuar masakrën më mizore mbi të burgosurit shqiptarë, e kryer nga forca policore serbe për disa ditë me radhë.

Në 21-vjetorin e kësaj masakre, Kurti tha se mungon drejtësia për të vrarët në këtë masakër, derisa e përshkroi këtë ngjarje si krimin më të pashembullt të pushkatimit.

“Për masakrën e Dubravës nuk është dënuar asnjë kriminel serb, as nga urdhërdhënësit as nga ekzekutorët… Mungon drejtësia për këta të vrarët ne masakrën e Dubravës, që është krimi me i pashembullt i pushkatimit të njerëzve me duar të lidhura”, deklaroi Kurti.

Kurti theksoi se me hyrjen në fuqi të ndryshimit për gjykim në mungesë për krimet e luftës, prokurorët e kësaj çështje kanë mundësi dhe detyrë të merren me masakrën e Dubravës.

Ai shtoi se masakra e Dubravës duhet që sa më parë të trajtohet nga Prokuroria Speciale.

“Sot një javë bëhen një vit prej se Kuvendi i Kosovës i ka bërë ndryshimet në kodin e procedurës penale dhe ka bërë amendamentin e tij, duke mundësuar gjykimin dhe dënimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Prokurorët specialë që merren me çështjen e krimeve të luftës, ku janë 3 prej tyre, besoj që kanë shumë mundësi dhe detyrë që të merren me masakrën e Dubravës e cila edhe në Tribunalin e Hagës, ngeli e kufizuar tek aktakuza ndaj Millosheviçit i cili vdiq në burg dhe tek asnjë zyrtarë tjetër i Serbisë. Masakra e Dubravës duhet që sa më parë të trajtohet nga Prokuroria jonë Speciale, tash që ajo e ka mundësinë për të iniciuar hetimet drejtë gjykimit dhe dënimit në mungesë”, tha Kurti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ka krijuar një ekip të përbërë nga njerëz adekuat, për të themeluar institutin i cili do të merret me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Haxhiu theksoi se, qeveria në detyrë do të angazhohet në shtim të buxhetit dhe shtim të numrit të prokurorëve që shërbejnë në hetimin e krimeve të luftës.


“Si ministre e drejtësisë tashmë kam krijuar këtë ekip, në përbërje të këtij ekipi ka përveç përfaqësues të institucioneve edhe përfaqësues të shoqatave dhe organizatave, profesorë dhe ekspertë, të cilët do t’i ndihmojnë ekipit punues për themelimin e institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Si ministre e Drejtësisë po ashtu, kam pasur edhe takime me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, në raport me fuqizimin e kapaciteteve sidomos të Prokurorisë Speciale për hetimet e krimeve të luftës. […] Qeveria jonë do të angazhohet në shtim të buxhetit dhe shtim të numrit të prokurorëve që i ndihmojnë institucioneve të drejtësisë për hetimin e krimeve të luftës”, tha Haxhiu.

Enver Dugolli, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, duke kujtuar ato ditë, tha se para 20 viteve hapësira e burgut të Dubravës ishte shndërruar në një fushë gjuetie.

“Para 20 viteve kjo hapësirë këtu e këtij burgu, ishte shndërruar në një fushë gjuetie, ndaj shqiptarëve të pa fajshëm të cilët të vetmin faj sipas ekzekutorëve e kishin se ishin Shqiptarë…Sot e 20 vite drejtësia nuk duket asgjëkund, edhe pse ka një numër të madh të dëshmitarëve që fatbardhësisht kemi shpëtuar”, tha Dugolli.

Profesori Ekrem Kryeziu, kujtoi jetën dhe veprën e Ukshin Hotit, për të cilin tha se, një ditë para kryerjes së dënimit e kanë larguar nga burgu.

Kryeziu u shpreh se brezat e rinj duhet ta kenë shembull Ukshin Hotin.

“U përmend Ukshin Hoti dhe vrasja e tij e çuditshme se si është nxjerr nga burgu të dielën dhe, turpi më i madh i një shteti që nuk është kënaqur nga krimet që i kanë bërë dhe ju ka mbetur Ukshin Hoti, koka e rezistencës dhe është dashur që atë kokë ta vrasin dhe të mos lënë gjurmë, ta lënë një plagë mbas veti… Brezat të mësojnë se si duhet të jetohet dhe të luftohet”, tha ai.

Ndërmjet datave 19 e 23 maj 1999, në burgun e Dubravës u krye masakër mbi të burgosurit shqiptarë nga forcat serbe.

Lexo edhe

1 Comment

Comments are closed.

error: