Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar pakon e re për përballje me inflacion prej 150 milionë euro. Në këtë pako parashihet mbështetja e familjeve që kursejnë energji elektrike, mbështetje për punëtorët e sektorit publik, privat, pensionistët, studentët dhe familjen nën asistencë sociale.
Kurti nisi konferencën me mbështetjen që ka bërë Qeveria për bizneset dhe qytetarët, derisa ka prezantuar pakon e re që ka për qëllim mbështetjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare.Ai shtoi se punësimin dhe punëtorët i kanë prioritet, i kanë përkrahur dhe do të vazhdojnë kësisoj.
“Për zyrtarët publik do të ndajmë shtesën prej 50 euro duke filluar nga muaji shtator. Kurse, për punëtorët e ndërmajjeve publike do të ndajmë shumën e menjëhershme prej 100 eurove....do të mbështesim secilin biznes që i rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50 përqind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë. E përkrahjen tonë do ta zgjerojmë edhe për studentët për të cilët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro në nëntor kur viti i ri akademik është duke u zhvilluar. Në muajt në vijim do të ndajmë rreth 150 milionë euro për pakon për përballje me inflacion, ku përmes masës së subvencionimit të energjisë do të përfitojnë të gjitha familjet rreth 300 mijë, kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë “, tha ai.