Kurti: Presim liberalizimin e vizave

Kurti: Presim liberalizimin e vizave

Kryeministri Albin Kurti gjatë adresimit në Këshillin e Atlantikut ka thënë se pret liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si dhe Bashkimi Evropian të pranojë aplikimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e këtij unioni duke i dhënë statusin e vendit kandidat.

Në të njëjtën kohë, Kurti ka thënë se mirëpret aplikimin e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian.

Kurti, duke cituar raportet e organizatave ndërkombëtare, u shpreh se Kosova është fanar i demokracisë në Ballkanin Perëndimor dhe aktualisht vendi më demokratik në rajon.

Gjithashtu, në këtë adresim, Kurti ka përmendur edhe aplikimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës, pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë.

Duke e quajtur Kosovën si storie e suksesit, ai ka thënë se Kosova nga viktima e një gjenocidi të rëndë është rritur në një shtet të pavarur e sovran, me institucione të plota dhe një kushtetutë të bazuar në parimet e lirisë, paqes barazisë e respektimit të drejtave të njeriut.


“Kosova tashmë kontribuon në paqe e siguri duke shërbyer krah për krah me aleatin tonë SHBA-në. Vitin e kaluar gati 1500 të avokuar nga Afganistani i strehuam dhe më pas bashkë shkuam në Kuavajt në misionin tonë të parë paqeruajtës. Po ashtu ishim pjesë e ushtrimit të përbashkët ushtarak me SHBA-të ku ishim një nga 16 vendet nikoqire me mijëra ushtarë. Bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm e fortifikon këtë zotim dhe këtë përkushtim të Kosovës për paqe për siguri dhe anëtarësim në NATO”, ka shtuar Kurti.

Kurti u shpreh se Kosova menjëherë ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Ukrainën, qoftë duke pritur edhe refugjatë, pasi i kujtojnë vuajtjet e 23 viteve më parë.

“Për ne këto fotografi na kthejnë dhimbjet e vuajtjet e 23 viteve më parë. Për këtë arsye kemi shprehur solidaritetin tonë me Ukrainën që prej ditës së parë të sulmit. Menjëherë iu bashkuam sanksioneve ndaj Federatës ruse. Nuk hezituam të shprehim gatishmërinë tonë për të pranuar deri në 5 mijë refugjatë dhe kemi ofruar hapësira pune e jetese për 20 gazetarë”, u shpreh Kurti.

Kurti ka thënë se përfshirja e Kosovës për të arsyetuar luftën në Ukrainë është kundër rendit botëror ndërsa ka tërhequr vëmendjen se Ballkani Perëndimor rrezikon të përfshihet nga konflikti.

“Të përdorësh Kosovën si argument për të sulmuar Ukrainën është thjeshtë një argument kundër gjithë rendit e të drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësisë për të mbrojtur normat e të drejtës ndërkombëtare. Mohimi e anashkalimi, ky ka qenë parimi i Rusisë dhe tashmë e njëjta gjë po bëhet edhe nga dora e zgjatur e Rusisë në Ballkan, Serbia. Kjo nuk mund të injorohet sidomos tani kur Serbia refuzon të sanksionojë agresionin rus. Rusia po përpiqet të përhap edhe beteja të reja për të pasur atë strategjinë e eskalimit për të deeskaluar. Duke pasur parasysh marrëdhënien e afërt të Serbisë me Rusinë mbështetja e saj për invazionin në Ukrainë dhe faktin se Republika Sërbska ende kontrollohet nga Rusia po aq sa nga Serbia, rreziku që konflikti të përhapet edhe në Ballkanin Perëndimor është fatkeqësisht shumë i lartë”, deklaroi Kurti.

Lexo edhe

Video