Kurti: Pres ndryshim qëndrimi të Serbisë ndaj Kosovës

Kurti: Pres ndryshim qëndrimi të Serbisë ndaj Kosovës

Pas takimit me kancelarin Olaf Scholz në Berlin, kryeministri Albin Kurti, në intervistë për RTK-në, tha se çështja e dialogut ishte temë qendrore në takim me kancelarin dhe kryediplomaten gjermane.

Ai po ashtu tha se kanë biseduar për raportet bilaterale, por në të njëjtën kohë sipas tij, edhe për marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore në Ballkan.

“Në kuadër të kësaj është edhe takimi që do ta kem me presidentin e Serbisë të ndërmjetësuar nga zoti Lajçak dhe të organizuar nga kancelari gjerman Scholz. Unë pres që nga ky takim që të kuptohet edhe më mirë se e vetmja marrëveshje pas një dialogu parimor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ajo e cila është ligjërisht e obligueshme, e me normalizimin e plotë sepse e ka në qendër njohjen reciproke”, tha Kurti për RTK.

Kryeministri tha se një ndër temat që u diskutuan me kancelarin Scholz ishte edhe çështja e dialogut me Serbinë .


“Në Evropë janë të brengosur meqenëse Serbia nuk u rreshtua me Bashkimin Evropian, NATO-n, dhe me Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe nuk i vendosi sanksione Federatës Ruse”, tha Kurti, duke shtuar se në Ballkan ka shumë dallime.

“Kemi dallime në Ballkan dhe na u shtua edhe një i tillë. Tash Ballkani Perëndimor që përbëhet prej gjashtë shteteve, nuk janë këto gjashtë shtete bashkë. Pra e kemi Serbinë, por për shkak të Republikës Serbe edhe Bosnje dhe Hercegovina, që nuk i vendosi sanksione Federatës Ruse”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se e mirëkupton Brukselin si kryeqytet i dyfishtë edhe i NATO-s edhe i Bashkimit Evropian që dëshiron paqe, stabilitet dhe siguri, por për të gjitha këto kontribuon Kosova.

“Uroj që Serbia ta ndryshojë qëndrimin e saj, ta pranojë Kosovën dhe të distancohet aktualisht nga Putini dhe të kaluarës nga Millosheviqi”, tha kryeministri Kurti për RTK.

“Takimet që i pata sot ishin shumë të mira.Tregova që Kosova është storje e suksesit, ka edhe rritje ekonomike dhe demokraci cilësore dhe kjo storje e suksesit është e përbashkët, e qëndrueshmërisë dhe e punës së popullit të Kosovës, por edhe e mbështetjes ndërkombëtare. Kosova është rrëfim suksesi i ndërhyrjes së NATO-s, BE-së dhe i orientimit euroatlantik”, tha Kurti.

Lexo edhe

Video

3 Comments

Komentet janë të mbyllura.