Kurti: Preokupimi im nuk është java e kaluar politike, por java e ardhshme shëndetësore

Kurti: Preokupimi im nuk është java e kaluar politike, por java e ardhshme shëndetësore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se krizës shëndetësore në Kosova shkaktuar nga përhapja e koronavirusit nuk do të duhej t’i shtohej edhe kriza politike. Ai ka deklaruar se nuk ka takuar partitë politike dhe as nuk ka pasur ndonjë diskutim me Lidhjen Demokratike të Kosovës rreth mocionit të kësaj të fundit për rrëzimin e qeverisë.

Shefi i ekzekutivit, ka thënë se shëndeti publik është para se gjithash, duke shtuar se nuk e ka preokupim javën që po shkon, në kuptimin politik, por atë që po vjen në kuptimin shëndetësor.

“Jemi plotësisht të përkushtuar në punën që bëjmë, në këtë situatë kur shëndeti publik është para se të gjithash dhe mbi të gjitha. Preokupimi im nuk është java e kaluar në kuptimin politik, por java e ardhshme në kuptimin shëndetësor”, ka thënë Kurti.


Kurti tha se nuk ndalet para asnjë pengese, dhe se vështirësitë vetëm sa ja shtojnë vullnetin për punë.

“Jam kryeministër me vullnet, me program, me dije dhe me përvojë të gjatë politike. Jam njëri i cili nuk ndalet para asnjë pengese dhe vështirësitë vetëm sa ma shtojnë vullnetin për punë. Parashikimet nuk i bëj unë, parashikimet i bëjnë analistët, jam këtu që të punoj. Është bindja ime që kësaj krize shëndetësore nuk do të duhej t’ia shtonim krizën politike, por nuk mundtë flas për të tjerët, mund të flas për vetën si kryeministër dhe kreu u kësaj qeverie”, tha ai.

Ndërkohë qytetarët e Kosovës këto ditë kanë protestuar kundër krizës politike në vend, duke bërë zhurmë nga dritaret e tyre. Për këtë, Kurti tha se në këtë formë ata po tregojnë se po i respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe masat e qeverisë duke qëndruar në shtëpi por që vitaliteti i tyre si qytetar nuk rresht asnjëherë, raporton KosovaPress.

Javën që vjen pritet të hidhet në votim një mocion mosbesimi për të rrëzuar qeverinë Kurti, i iniciuar nga partneri i koalicionit, LDK, dhe mbështetur nga partitë opozitare./G.Kadrija/

Lexo edhe

Video