Kurti përplaset me deputetët opozitarë në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përplasur me deputetët opozitarë gjatë debatit parlamentar për grevat.

Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK kritikuan kreun qeveritar për qasjen e tij karshi grevistëve.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e quajti institucionalist kryeministrin Kurti, derisa tha se të kaluarën s’ka pasur politikanë pa fyer dhe denigruar, madje duke gjuajtur edhe gaz lotsjellës në Kuvend.

“Një Albin Kurti që e pash shumë pedant, zyrtar, i cili s’ka lanë asnjë zyrtar grevist, sindikalist, politikan pa fyer dhe denigruar, pa lagur me ujë dhe gjuajtur gaz lotsjellës e gjithçka tjetër. Shumë m’u ke bërë zyrtar me sindikatat, lëshohu pak në të kaluarën tënde”, tha ai.

Atij iu kundërpërgjigj kryeministri Kurti, i cili tha se arsyeja pse s’ka nevojë tani të jetë radikal nuk është se është bërë kryeministër, por nuk është më tema e “zajedinicës”.

“Pa numër herë merret ky krahasimi se dikur ke qenë kështu, e tash je ashtu. E kam thënë edhe më herët, unë nuk kam qenë kurrë radikal për nga karakteri, por nga tema. Arsyeja pse s’ka nevojë të jem radikal nuk është se jam bërë kryeministër, pro sepse nuk është ‘zajednica’ duke u ratifikuar këtu. Ky është dallimi, Asociacioni që na bosnjëzonte Kosovën vinte këtu, prandaj vinte gazi lotsjellës. S’ka ‘zajednicë’, s’ka gaz lotësjellës”,  tha ai.


Kritike u shfaq edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila i kërkoi Kurtit të gjej zgjidhje dhe jo të frikësojë popullin me përmendjen e luftës.

“Ne e dimë që për fjalime je vërtet ekselent dhe nuk ta kalon askush. Tash je kryeministër dhe duhet të merresh me punë konkrete. Me qenë kryeministër nuk më kish zënë gjumi duke menduar se çka je duke iu bërë shkollave shqipe… kryeministër gjej zgjidhje, në vend se të frikësosh popullin me deklaratat të tua se do të ketë luftë në Ballkan dhe vëmendja të shpërqendrohet nga greva”, tha ajo.

Mirëpo, kreu qeveritar tha se ai nuk ka thënë se do të ketë luftë, por se mund të ketë luftë, duke marrë parasysh 48 baza serbe rreth Kosovës.

“S’kam thënë që do të ketë luftë, por kam thënë që mund të ketë luftë. Vetëm një moment, unë kam thënë mund të ketë luftë. Por nga ana tjetër, është papërgjegjësi që unë si kryeministër, kur i ke 48 baza ofanzive rrotull Kosovës me thanë që nuk do të ketë kurrë luftë. Është gabim, e dyta kur them unë që mund të ketë luftë, ju lutem ndjekeni atë intervistë deri në fund, pasi ajo është akuzë ndaj Serbisë. S’ka çka ju pengon juve akuza ndaj Serbisë”, nënvizoi Kurti.

Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami u shpreh e shqetësuar me qëndrimet e kryeministrit Kurti sa i përket grevës.

“Më frikësoi betonimi i kryeministrit me arsyetimet e veta sepse kjo tregon se ne nuk do të kemi  dialog. Me një qeveri normale, një shtet normal ne nuk do të kishim kryeministrin në një debat të tillë, por ai duhet të ishte në takime disa ditore me sindikatat e tjera”, tha ajo./E.Zeqiri/

Lexo edhe

Video