Kurti: Përmes “M4Y” të rinjtë do të fitojnë aftësi praktike dhe mundësi për angazhim vullnetar

Në ceremoninë inauguruese të projektit “Komunat për të Rinjtë (M4Y)”, në Kosovë, që u mbajt të premten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se të rinjtë do të fitojnë aftësi praktike dhe mundësi për angazhim vullnetar.

Drenasi, Hani i Elezit, Rahoveci, Skenderaj, Vushtrria, Juniku, Kaçaniku, Ferizaj, Ranillugu dhe Zveçani janë komunat e përzgjedhura e që nga ky projekt do të kenë mundësinë që të angazhojnë rreth 3 mijë të rinj në margjinalizuar në komunitetet e cenueshme në Kosovë, për angazhim qytetar dhe ngritjen e aftësive.

Në ceremoninë inauguruese, Kurti tha se qeveria me të cilën ai udhëheq nuk ka politikë që bëhet e nuk e ka në mendje zgjerimin e mundësive për të rinjtë, për zhvillimin dhe punësimin e tyre.

“Përmes këtij projekti të rinjtë do të fitojnë aftësi praktike dhe do të kenë mudnësi për angazhim qytetarë e vullnetarizëm. Duke mësuar të hartojnë e zbatojnë projekte për lagjen e tyre, ata do të fuqizohen të ofrojnë shërbime më të mira dhe të dhe të udhëheqin zgjidhje për sfidat e komunitetit. Dhjetë komunat e përzgjedhura janë Drenasi, Hani i Elezit, Rahoveci, Skenderaj, Vushtrria, Juniku, Kaçaniku, Ferizaj, Ranillugu dhe Zveçani. Këto komuna në bashkëpunim me të rinjtë do të adresojnë më mirë nevojat e tyre lokale… Ne jemi të përkushtuar që ky investim të kthehet përmes arritjes së një demokracie funksionale dhe një ekonomie të avancuar. Faleminderit qeverisë japoneze dhe Bankës Botërore për mbështetje”, tha ai.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi tha se kanë mobilizuar mbështetjen e partnerëve, që gjatë kësaj periudhe të vështirë përballë pandemisë COVID-19, kapaciteti i ministrisë të fokusohet në arritjen e objektivave të saj strategjike, me fokus në mbështetjen e komunave dhe komunitetit rinor.

“Projekti ‘Komunat për të rinjtë në Kosovë’ është një mundësi më e mirë që i është dhënë komunave në mbështetjen e 3 mijë të rinjve. Kjo do të mundësoj që komunat e përzgjedhura të adresojnë nevojat socio-ekonomike për të rinjtë e komunave të tyre. Jam jashtëzakonisht i lumtur që sistemi për menaxhimin e përformances lokale ka rritur vlerësimin dhe ka marrë mbështetjen e partnerëve tanë… Komunat e përzgjedhura do të vazhdojnë me ngritjen e kapaciteteve dhe angazhimin e tyre”, tha Krasniqi.


I ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Ogasaëara Mitsunori, tha se janë të kënaqur që Japonia mund t’i mbështesë të rinjtë në Kosovë për t’i zhvilluar aftësitë e tyre të analizës dhe zgjidhjes së problemeve.

Ai shtoi se pas trajnimeve, pjesëmarrësit do të paraqesin projektet e tyre, e që më pas do të ketë edhe mbështetje financiare për implementim.

“Më kujtohet që ka qenë diku më shumë se një vit më parë kur ky projekt ka nisur. Duhet të ketë qenë sfiduese për këtë projekt gjatë kohës së pandemisë. Ky projekt synon të mbështesë 3 mijë të rinj për të rritur kapacitetet e tyre, për t’u përfshirë në mënyrë aktive dhe për të dhënë kontribut në aktivitetet shoqërore përmes projektit, të rinjtë që do t’i trajnojmë rreth programeve, hartimit, planifikimit dhe zbatimit të projektit, këto janë aftësitë për të cilat do të kenë nevojë jetën reale siç është vendi i punës, në shoqëri ose edhe në shtëpi. Pas trajnimeve, pjesëmarrësit do të sjellin projektin e tyre, i cili do të mbështetet financiarisht”, tha Mitsunori.

Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore Zyra në Kosovë, Massimiliano Paolucci tha se janë shumë të kënaqur me projektin në fjalë dhe se si impelmentues të kësaj iniciative janë inkurajuar nga angazhimi i madh i qeverisë dhe komunave për të vepruar si lehtësues për fuqizimin dhe përfshirjen socio-ekonomike të të rinjve të margjinalizuar.

“Ne jemi implementues të kësaj iniciative, në mbështetje të 3 mijë rinjve të Kosovës që ne tani po implementojmë këtë iniciativë. Këtë vit, sondazhet kanë treguar që besimi i të rinjve është rritur dhe se besimi në institucione është rritur gjatë pandemisë COVID-19. Programi për të cilin po flasim është një intervenim dhe mundëson ndihmën që kryetarët e komunave mund të japin për të rinjtë”, tha ai.

Projekti “M4Y” është grant në vlerë prej 2.79 milionë dollarë amerikanë, i financuar nga Qeveria e Japonisë nëpërmjet mbështetjes së marrë në kuadër të Fondit Japonez për zhvillim social, i administruar nga Banka Botërore.

Objektivi i këtij projekti është të përmirësojë përfshirjen socio-ekonomike të të paktën 3 mijë të rinjve të margjinalizuar në komunitetet e cenueshme në Kosovë përmes angazhimit qytetar të nxitur nga të rinjtë dhe aktivitetet e zhvillimit të aftësive.

Lexo edhe

Video

error: